Komuniteti Shtetëror për Kultet i ka dërguar një letër imamit Ahmed Kalaja ku i tërheq vëmendjen për gjestin tallës ndaj klerikëve ortodoksë, ku protagonistë ishin edhe dy lojtarët të kombëtares.   Edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dënuar videon e dy futbollistëve shqiptarë, Andi Lila dhe Armando Sadiku, të cilët denigronin një prift ortodoks dhe flisnin me përçmim dhe tallje ndaj riteve të krishtere.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e frytshëm dhe korrekt me Komitetin Shtetëror të Kulteve, sqarojmë opinionin publik se bashkëndajmë shqetësimin e këtij institucioni, shprehur edhe me shkresën e fundit, në lidhje me ruajtjen dhe moscënimin e traditës së shquar të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, vlerë e vyer kjo e trashëguar ndër vite” – thuhet në reagimin e KMSH-së.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thotë se si një institucion i promovimit të vlerave të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, ka ndjekur me shqetësim publikimin e ndodhur disa ditë më parë, ku gjatë një bashkëbisedimi jo të kujdesshëm të shfaqur në mediat sociale midis dy futbollistëve të kombëtares dhe një imami, u la vend për keqkuptim dhe lëndim të ndjenjave dhe besimeve të tjera fetare. “Rastin në fjalë e dënojmë dhe do trajtohet me seriozitetin maksimal nga Kryesia e Komunitetit Mysliman me synim që raste të tilla të mos përsëriten"-thuhet në reagimin e KMSH.