Drejtuesit e qarqeve të PS-së i kanë prezantuar dje kryeministrit Edi Rama një analizë që e çon rezultatin e 25 qershorit në fitore me 75 mandate vetëm për PS-në. raportimin për këtë analizë e bën gazeta “Shqiptarja.com”, sipas të cilës “në Vlorë Gjiknuri ka parashikuar 7 mandate, ndërsa Klosi në Berat 4 të tilla. Lindita Nikolla parashikon të marrë 4 deputetë në Lezhë, ndërsa Ditmir Bushati në Shkodër po kaq. Mimi Kodheli parashikon të marrë 2 mandate në Kukës, ndërsa Ilir Beqja në Dibër parashikon 3 mandate. Taulant Balla është shprehur optimist për 7 deputetë në Elbasan, ndërsa po kaq pret të marrë dhe Niko Peleshi në Korçë. Gramoz Ruçi është shprehur se në Fier do të marrë 9 mandate, ndërsa Çuçi në Gjirokastër, 3 të tilla”. 
Ndërkohë Sajmir Tahiri ka deklaruar se në Tiranë parashikohen 17 mandate, kurse Vangjush Dako ka deklaruar 7-8 deputetë në qarkun Durrës. 
Vetë kryeministri thuhet se ka kërkuar si objektiv kapjen e 71 mandateve, qëllim i qartë i tij për të qeverisur vetëm.