Në intervistën për Abc News raporteri, Knut Fleckenstein i është përgjigjur edhe dy pyetjeve që kanë të bëjnë me hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Eurupian. Të para si test për afrimin me BE-në, zgjedhjet plotësuan pritshmëritë dhe bashkë me Vettingun mund t'i hapin rrugën qeverisë Rama të hapë negociatat e anëtarësimit që në vitin e parë të mandatit të dytë. 

"Ne kemi thënë që ka dy pika që duhen plotësuar për hapjen e negociatave. Zgjedhjet dhe fillimi i zbatimit të proçesit të Vettingut. Ne duhet t’i përmbahemi kësaj dhe të hapim negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Kriteret e tjera sigurisht që duhen diskutuar, por kjo mund të bëhet gjatë negociatave. Unë i kërkoj Komisionit Europian dhe Këshillit të ministrave që të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Kemi shumë për të bërë, por mendoj se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave të anëtarësimit"- theksoi Fleckenstein.

I pyetur nëse hapja e negociatave  është e realizueshme këtë vit, apo në fillim të vitit të ardhshëm, Fleckenstein flet për një normë besimi që duhet vendosur mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit, në rastin konkret Shqipëria. 

"Nëse komisioneri do të shihte se çfarë mendojnë qytetarët e Ballkanit për qëndrimin tonë, ai nuk do t’a thoshte këtë. Ne kemi qenë të qartë për kushtëzimin para hapjes së negociatave. Tani duhet të mbajmë fjalën e dhënë. Nuk bëhet fjalë për mbylljen e negociatave, por për hapjen e tyre. Komisioni dhe shtete anëtare duhet të tregohen të besueshme dhe të hapin negociatat tani". 

Qeveria e re e ka rrugën të shtruar për të fituar edhe hapjen e negociatave me BE-në dhe kësisoj të kurorëzohet ende pa nisur punën si lokomotiva që po udhëheq vendin drejt BE-së. Mirëpo gjërat nuk do të jenë kaq të thjeshta për një kryeministër si Edi Rama që ndonëse ka mbështetjen e një pjese të eurodeputetëve apo vetë kancelares Merkel, nuk gëzon aprovimin e të gjitha vendeve të BE-së duke nisur nga Greqia, e cila ka vendosur një kurs tjetër me Shqipërinë, pikërisht për shkak të marrëdhënieve me Edi Ramën. 
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias e bëri të qartë pak muaj më parë se Greqia nuk do të bëjë me dhurata si ajo e votës pro për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kërkesat janë që Shqipëria të plotësojë disa kushte që lidhen me trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe fqinjësinë e mirë.