Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ka deklaruar sot në një intervistë për Tv Klan se ai do të propozojë amendime në ligj për licencat mjedisore të tipit C.   
“Ajo që ne kemi parë është që ne kemi një anomali, në mënyrën se është qeveria qëndrore ajo që jep licensat mjedisore të tipit C, pra që janë kategoria e shërbimeve në zona të banuara. Varësia në qeverinë qendrore për paketën, 27 vjet nuk ka funksionuar dhe ne nuk dimë të dallojmë cila është një zonë rezidenciale dhe cila është një zonë biznesi. Ajo që ne kemi kërkuar dhe kemi gjetur dakordësinë me Kryeministrin dhe ministrin e Mjedisit është që kjo duhet të jetë një kompetencë që e jep Bashkia. Bashkia mund të kontrollojë nëse banorët e kanë dhënë dakordësinë që ambienti i tyre i banimit të jetë dhe zyrë, të jetë dhe restorant, të jetë dhe Call-Center, të jetë dhe disko. Kështu që shumë shpejt do t’i propozoj qeverisë shqiptare amendimin e ligjit të mjedisit ku licencat e kategorisë C, pra të aktiviteteve tregtare në zonat e banuara, t’i kalojnë pushtetit vendor”-tha ai. 

Ndërhyrja është në vazhdën e përpjekjeve të bashkisë për të rregulluar situatën e asambleve në pallate, ku në vend të luante rolin që i caktonte ligji kërkoi të organizonte zgjedhjen e asambleve. Me marrjen në kontroll të licencave bashkia shtrin autoritetin ekzekutiv duke u prirur të disiplinojë një raport hapësinor për sipërmarrjen e lirë e cila më së pari është iniciativë dhe intuitë. 

Efektet financiare të ndryshimeve në këtë ligj do të rëndojnë mbi qytetarët që kanë aktivitete shërbimi në pallate, në varësi edhe të tarfifave që do të reja që do të propozohen. Qëllimi është të rriten të ardhurat e bashkisë së Tiranës dhe arkës që administrohet nga zoti Veliaj me fatura që shtohen peroidikisht, të cilat gjithsesi janë njëra anë e medaljes, pasi tjetra janë çmimet që kryetari i bashkisë merr 1 herë në javë për suksesin drejtimin e bashkisë së Tiranës.