Lulzim Basha denoncoi të hënën përfshirjen e Paulin Ndreut, (vëllait të deputetit socialist, Pjerin Ndreu) në procedurat për lëshimin e dy patentave lundruese në emër të ish-ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri. Kryetari i PD-së i referohet denoncimit të një nepunesi të zyres se patentave detare ne Drejtorine e Pergjithshme Detare ne Durres që thotë se  “Dokumentat per berjen e patentes i ka sjell PAULIN NDREU me detyre Kapiten i Pergjithshem dhe nga sot e kane emeruar Drejtor te Pergjithshem te Drejtorise Detare, megjithese Kontrolli i Larte i Shtetit ka rekomanduar pushimin dhe largimin nga detyra. Pra PAULIN NDREU ka ushtruar autoritetin e tij politik dhe aspak profesional duke detyruar firmosjen e kundraligjshme te kesaj patente”.

Ajo që rezulton e vërtetë nga ky denoncim është se Paulin Ndreu me detyrë Kapiten i Përgjithshëm i Porteve është gjetur me shkelje nga auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili në një raport të datës 5 Maj 2017 rekomandon largimin e tij nga detyra, shih. Raportin në fq 13. http://www.klsh.org.al/web/53_drejtoria_detare_durres_3307.pdf

Rekomandimi i KLSH-së nuk është zbatuar dhe kjo lë dyshime për mbrojtje politike ndaj vëllait të deputetit socialist. Siç raporton gazeta Panorama, Ndreu është pyetur të hënën nga Prokurorët e çështjes. Për mënyrën sesi i janë rinovuar patentat e lundrimit ish-ministrit të Brendshëm ka folur edhe Hamdi Domi, përgjegjës i sektorit të mjeteve lundruese që ka firmosur për dokumentet në fjalë. Gazeta shkruan se ai u ka thënë prokurorëve se rinovimi është bërë me kërkesë të ish-ministrit dhe është ndjekur një procedurë që nuk kërkon kryerjen e një kursi të posaçëm, pasi marrja e patentës është bërë para vitit 2011. Madje ai ka pohuar se ish-ministri i ka shkuar në zyrë.

Pjesërisht apo plotësisht denoncimet e opozitës po konfirmohen dhe lidhja e Tahirit me veprimet që sot janë nën hetim po zgjerohet edhe pranë grupit parlamentar socialist. Ndonëse është herët për të nxjerrë konkluzione.

PS: Më poshtë po sjellim letrën e kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj, drejtuar Drejtorisë së Përgjithshmë Detare përmes së cilës njoftohet ndryshimi i masës disiplinore për Paulin Ndreun, rekomanduar vetëm një muaj më parë nga auditimi në terren: