Zyra për shtyp e ambasadës së Izraelit në Tiranë ka përcjellë informacion mbi një takim të ambasadorit me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Njoftimi nuk jep shumë detaje, por thekson se përveç marrëdhënieve dypalëshe u diskutua për “projekte te perbashketa te mundshme ne fushen e mbrojtjes”. Edhe pse një njoftim me përmbajtje të rezervuar, takimi vjen pak ditë pas Konferencës së Vendeve Islamike që u mbajt në Turqi, ku Shqipëria u përfaqësua me nivel ambasadori dhe ku u vendos njohja e Jeruzalemit Lindor si kryeqytet i Palestinës.  

Në njoftim thuhet se është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, por gjithashtu  Izraeli nuk e fsheh interesin për t’u përfshirë në projekte që kanë të bëjnë me fushën e mbrojtjes. “Ambasadori i Izraelit ne Tirane zhvilloi nje  takim me Ministren e Mbrojtjes, Znj. Olta Xhacka ku nder te tjera u diskutuan marredheniet dypaleshe si dhe projekte te perbashketa te mundshme ne fushen e mbrojtjes”-thekson njoftimi i ambasadës izraelite.

Ministria jonë e Mbrojtjes nuk ka përcjellë njoftim mbi këtë takim dhe ajo që dihet mbi projektet në fushën e mbrojtes është ajo çfarë ka deklaruar ministrja Xhaçka para pak kohësh në Komisionin e Sigurisë se Shqipëria po sheh mundësinë e rivitalizimit të fabrikave të demontimit për t’i kthyer në uzina për prodhimin e armëve.

Në deklaratën e Xhaçkës thuhej se ka interes nga kompani të huaja për të konkretizuar këto projekte, çka  mund t’i japë shpjegim edhe takimit me ambasadorin izraelit.