Nuk mungojnë suprizat me Bashkinë e Tiranës sa u takon kostove që u faturon qytetetarëve përmes enteve që ka në administrim. Dhe kjo me filozofinë e faktit të kryer, duke shkelur hapur procedurat që parashikon ligji për të drejtat dhe detyrimet e që rrjedhin nga kontratat e shërbimeve me pagesë për qytetarët.

Shembulli më tipik është rasti i një abonenti të Ujësjellësit në rrugën "Urani Pano" në qendër të kryeqytetit. Abonenti me numër kontrate 1675 është faturuar me 5 mijë lekë të reja shtesë për zëvendësimin e sahatit matës të ujit. Abonenti thotë për ResPublica se "për zëvendësimin e matësit është vënë në dijeni nga sportelistja e UKT-së që kërkoi shumën e parave, ndërsa nuk kishte patur asnjë njoftim nga ndërmarrja e Ujësjellësit për nderrimin e sahatit dhe arsyet e zëvendësimit".

Nga zyra për shtyp e Ujësjellësit na u tha se procedura parashikon njoftimin e abonentit për zëvendësimin e sahatit dhe madje përcakton afate kohore ku abonenti mund ta kryejë vetë zëvendësimin ose të bjerë dakord me UKT-në për ta bërë ata zëvendësimin. Në dijeninë e kësaj zyre të gjitha njoftimet janë bërë siç i parashikon ligji.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ku një ndërmarrje publike që ka si aksioner bashkinë më të madhe në vend operon me filozofinë e një pale që del mbi ligjin, duke mos bërë as minimalen e mundshme, njoftimin e abonentëve për ndërhyrjen në sistemin e ujësjellësit sipas kontratës që ka me çdo abonent. Është i njëjti standard që ndjekin disa ente shtetërore, ku pala tjetër kontraktore “në këtë rast qytetarët” injorohen në shkelje të hapur të marrëveshjes ligjore me ndërmarrjet publike. Nuk respektohen afatet, flitet për njoftime kolektive në hyrje të pallateve apo poshtë derës dhe në shumicën e rasteve vlerësimi i dëmit bëhet në mungesë të abonentit.

Vetë kontrata e shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve që bart në vetvete shumë problematika njeh dy lloj përgjegjësish për rastet kur zëvendësdohet sahati dhe shpenzimet për instalimin e tij.  Përgjegjësia dhe shpenzimet i takojnë operatorit nëse sahati nuk funksionon për arsye teknike apo mbarimin e jetëgjatësisë së tij, ndërsa përgjegjësia dhe shpenzimet i njihen konsumatorit nëse  ujëmatësi  dëmtohet  pa  dashje  nga konsumatori apo  si  pasoje  e  kushteve  atmosferike.

Në të dyja rastet ka probleme dhe mungesë transparence me mënyrën si procedon operatori dhe kjo ekspozon pa dashur edhe vetë kryetarin e bashkisë, zotin Veliaj. Në Janar të vitit të kaluar pas situatës së krijuar me ngrirjen e tubacioneve nga ngricat  kryebashkiaku Veliaj deklaroi se zëvendësimi i sahateve të dëmtuar mbulohet nga shpenzimet e Ujësjellësit dhe se kostot kompensohen nga të ardhurat e Ujësjellësit, ndonëse kontrata e parashikon ndryshe.

"Kam lënë porosi si aksioner kryesor i UKT, që ndërmarrja të përballojë me shpenzimet e saj zëvendësimin e të gjithë sahatëve në qytetin e Tiranës, që asnjë prej banorëve të mos impaktohet në xhepin e vet dhe financat e familjes për kushte të natyrës. Kjo do të jetë diçka që do të kompensohet nga xhirot dhe të ardhurat e ndërmarrjes, çdo qytetar duhet të jetë i qetë për këtë çështje”- tha Veliaj.

ResPublica iu drejtua Agjencisë Për Mbrojtjen e Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës për të pyetur mbi këto raste, por mori përgjigjen se kjo Agjencia nuk mbulon problematikat që kanë të bëjnë me ankesat e abonentëve të ujësjellësit ndaj ndërmarrjes publike ku bashkia e Tiranës zotëron rreth 70% të aksioneve. Sipas tyre, problemi është i atyre që kanë hartuar legjislacionin për kompetencat që mbulon kjo Agjenci.

Dyshimet janë të forta se zëvendësimi i sahateve të ujësjellësit sipas praktikës së ndjekur abonentin me numër kontrate 1675 nuk është një rast i veçuar dhe se një praktikë e tillë ndiqet masivisht me abonentët e kryeqytetit, të cilët paguajnë 5 mijë lekë për zëvendësimin e sahateve të ujit.  ResPublica do ta ndjekë këtë problematikë për të kuptuar deri ku shkon abuzimi me faturimet që u bëhen abonentëve të Ujësjellësit për ndërrimin e sahatave dhe sa ligjore janë ato.

Përditësuar