Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekoruar me  “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”(pas vdekjes), të ndjerin Agur Vrenozi, qytetari fierak që humbi jetën pasi ndërhyri për të ndihmuar një bashkëqytetar që po grabitej. Fjala është për ngjarjen e rëndë të Fierit, ku disa grabitës tentuan të merrnin paratë në një qendër këmbimi dhe Vrenozi, pronar i një byrektoreje ndërhyri për ndihmë.

Fatkeqësia e madhe i mori jetën Vrenozit, që sot ka tërhequr edhe vëmendjen e institucioneve.

“Për aktin e tij vetmohues në mbrojtje të jetës së bashkëqytetarëve; për veprimin heroik e sublim, frymëzues për mbarë shoqërinë për të reaguar në përballjen me dhunën, krimin e rrezikun për jetën, paqen sociale, pronën e sigurinë qytetare”, thuhet në motivacionin e dekoratës.

Edhe Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur një minutë heshtje përpara fillimit të seancës plenare të sotme.