Rrëmbimi i 6 shtetasve turq nga Kosova duket të jetë vetëm maja e ajsbergut, e një operacioni të Inteligjencës Turke (MIT) të shtrirë në 18 vende të botës. Zv/kryeministri turk Bekir Bozdağ tha në një intervistë për mediat e vendit të tij se agjentët turq kanë rrëmbyer dhe kanë transferuar në Turqi deri tani 80 vetë të akuzuar për lidhje me rrjetin e Fetullah Gylen.

"Misioni i MIT është të mbledhë informacione. Ne i kemi dhënë MIT-së autoritetin për të kryer operacione edhe jashtë vendit"- tha ai, duke konfirmuar se operacionet do të vazhdojnë.

Me justifikimin e kërcënimit nga gylenistët, Turqia ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme, e cila i jep presidentit Erdogan dhe shërbimeve sekrete, kompetenca shtesë. "Nevoja për të zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme është e qartë. Nëse miratohet nga parlamenti, ajo do të zgjatet përsëri"-tha Bekir Bozdağ në një intervistë televizive për Habertürk TV.

Qeveria e AKP-së shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 20 korrik 2016 pas grushtit të dështuar të shtetit. Ajo u zgjat për herë të gjashtë më 18 janar 2018, që do të thotë se përfundon më 19 prill.

http://www.haberturk.com/son-dakika-ohal-uzatilacak-mi-bekir-bozdag-dan…