Në vitin 1998 regjisori Vladimir Prifti ekranizoi një novelë të Vath Koreshit me titull “Dasma e Sakos”. Ngjarjet zhvilloheshin në një qytet fantazmagorik që përjetonte tranzicionin e periudhës mesjetare. Sakoja është një hyzmeqar beqar që punon prej kohësh për llogari të beut të zonës. Ky i fundit, ashtu si edhe babai i tij më përpara, i ka premtuar qëmoti Sakos se në shkëmbim të punës së tij të lakmueshme do t’i gjejë një nuse e do t’i bëjë dasmën.

Në fund, beu nuk e kishte harruar premtimin, por e organizoi sipas skenarit të tij. I solli Sakos nusen të hipur në një kalë dhe kur të gjithë prisnin që nusja të zbulonte fytyrën doli se mbi kalë ishte karagjozi i fshatit i përngjyer me buzëkuq.

Metafora që përcillet është se në thelb shpërdorimi i pushtetit është i njëjtë por ka shfaqje të ndryshme, ku sfida më e madhe e njeriut është liria dhe një dinjiteti i vërtetë njerëzor. Akt i një drame sa personale aq edhe politike, ku tradita shërben për të kuptuar raportin që pushteti ka ruajtur me këtë shoqëri por edhe me tiplogjinë e bejlerëve apo shërbëtoreve (sakove).

Për analogji Shqipëria po bëhet gati për një dasëm të madhe, atë që qeveria po përgatit me kompaninë “Fusha sh.pk” për ndërtimin e një kompleksi kullash dhe të ashtuquajturin Teatër të Ri. Qeveria po e servir si një bamirësi të madhe që po i bën popullit të saj të varfër, duke u thënë se shteti i tyre i telendisur e ka të pamundur për të ndërtuar vetë Teatrin. Për të celebruar këtë skenar kryeministri nuk e ka patur të vështirë të gjejë personazhet. Mirela Kumbaron, Erion Veliaj dhe natyrisht ai vetë.

Nusja e kësaj mblesërie duhet të ishte Mirela Kumbaro, e cile si ministre e Kulturës kishte barrën t’i prezantonte publikut projektin e Kullave me Teatër përpara. Por e pazonja për të nusëruar në këtë pozicion, më shumë duke heshtur sesa duke folur, Kumbaros iu hoq menjëherë roli, ndonëse ligjërisht i takon asaj të përgjigjet për Teatrin. Kryeministri reagoi shpejt dhe futi në aktrim nusen rezervë, kryebashkiakun Erion Veliaj. Imazhi  që qarkullon për të është ai i një shërbëtoi të palodhur dhe i një nikoqiri par excellence .

Ndonëse pa asnjë autoritet për të negociuar mbi projektin e Teatrit Kombëtar, ky i fundit iu paraqit publikut me gjithë pajën që sjell nusërimi i tij për llogari të dasmës që po bën qeveria me kompaninë “Fusha.sh.pk”. 6 kulla dhe një teatër.  Nuk është rastësi që këtë rol e mori zoti Veliaj, një personazh i talentuar dhe i sprovuar në fushatat që kanë si qëllim manipulimin e publikut. Në finale dasmorët do zbulojnë se mbi kalë nusja e vërtetë është Mirela Kumbaro megjithë kallangjepsjet që do lërë pas mënxyra e mblesërisë, Fusha-Rama-Veliaj.

Në fakt beu i kësaj historie është kryeministri Rama, i cili është ai që lëviz fijet e të gjithë kësaj shfaqjeje që nuk është gjë tjetër veçse demostrim i arrogancës së pushtetit dhe një abuzim i pastër në favor të interesave private. Një tallje me shqiptarët në dritë të diellit nga ata që mund të quhen beljerët modernë të veshur me qillota dhe atlete.

l.mitro