Del në dritë një gjetje e rëndësishme. E zbuluar në Arkivat e Shoqërisë Mbretërore të Shkencave në Britani, ajo është letra origjinale me anë të së cilës Galileo Galilei ishte i pari që i paraqiti një miku italian argumentet heliocentrike kundër doktrinës së Kishës se Dielli rrotullohet rreth Tokës

Letra, e cila u konsiderua si e humbur, hedh dritë mbi polemikat e gjata të fizikanit dhe astronomit italian me autoritetet katolike romake, të cilat përfunduan me dënimin e tij për herezi në vitin 1633. Letra me shtatë faqe e firmosur me inicialet "G.G." (Galileo Galilei), i cila ishte shkruajtur më 21 dhjetor 1613, zbulon se në fillim të konfliktit historik të shkencës dhe kishës, Galileo kishte një vetëdije të qartë të rrezikut dhe u përpoq të "zbuste" akuzat e tij.

Kjo letër ishte e njohur, pasi i kishin bërë kopje të mjaftueshme. Ka dy versione të saj: një e dërguar nga një  "informator" i inkuizicionit në Romë dhe një tjetër në një gjuhë më të moderuar. Për shkak se kishte  humbur formulimi origjinal nuk ishte e qartë nëse Inkuizicioni kishte gatuar një version më 'heretik' të letrës për të inkriminuar  më shumë Galileon dhe miqtë e tij.

Zbulimi i letrës origjinale tregon se Galilei gënjeu kur tha se fjalët e tij ishin keqinterpretuar.  Ishte ai që shkroi një version më të "moderuar" të teorive të tij dhe ia dërgoi letrën një shoku të matematikanit Benedetto Kastelli në Universitetin e Pizës, duke i kërkuar atij që ta promovonte në Vatikan.  Por ishte tepër vonë, pasi letra e tij origjinale kishte mbërritur prej kohësh në Selinë e Shenjtë