Serbia ka regjistruar si pasuri botërore në Unesco të kënduarit me Gusle ose lahutë. Ajo që habit është reagimi i Ministrisë Shqiptare të Kulturës që është e preokupuar për të korrigjuar mediat, të cilat sipas saj e kanë interpretuar gabim vendimin e UNESCO-s më referencën se  lahuta është vegël muzikore serbe dhe jo shqiptare.

Shpjegimi i ministrisë është se “Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj”

Në Serbi dhe Malin e Zi, rapsodët quhen Guslarë, ndërsa në Kroaci, atje ku me lahutë i këndohet heronjve, këtë instrument e përdornin hajdukët.

Ministria thotë se këtë aset kulturor ka ndërmend ta çojë në UNESCO bashkë me Malin e Zi dhe se Tirana ka si prioritet regjistrimin e Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndërkohë që ka në proces përgatitjen e propozimit për Parkun Arkeologjik të Apolonisë.