Sabit Brokaj foli për ligësinë e Sali Berishës. Kriminalitetin e tij. Të dyja okelio e krye-recetës së neurodhaskalëve të kombit: çdo e keqe sado e madhe, fillon poshtë Saliut. Ai është e keqja e të këqijave, kënga e të gjithë këngëve të liga, kuja e kujës.

Pak më vonë shkruajti Pëllumb Xhufi. Zoti Xhufi e nisi rrëfimin nga Evropa ku po bëhet gjullurdi e madhe. Me një shqipe të kristaltë dhe shumë dinjitoze, zoti Xhufi doli aty ku e ka merakun: PD-ja po fashistizohet sepse pas saj qëndron Doktor Berisha. A thua ai nuk ka qenë aty tërë kohës. Diagnoza e njëjtë, kura po ajo. Zoti Xhufi e ka ditur me kohë këtë, ai ka hall ta kuptojmë edhe ne këtë gjë.

Sot i erdhi radha Geri Kokalarit. Dikur zotëria në fjalë fliste me kompetencë dhe, me dokumente ndonjëherë, për korrupsionin e tmerrshëm të pushtetit të z. Berisha. Sot zoti Kokalari zhgënjen shumëkënd kur në pushkatimin e disatë për Berishën dhe PD-në, shkruan si praktikant gazetarie:

Unë e di se ka akuza për korrupsion kundër Ramës dhe unë jam duke filluar të besoj se kurrë nuk do të ketë një qeveri të pastër shqiptare, por ndryshe nga rasti me qeverinë e Berishës, nuk kam asnjë provë të fortë për qeverinë aktuale

Të tre këta zotërinj kanë folur për gazetën “Dita” ku tubohen kryesisht komentues që qajnë hallin e të majtës siç kuptohet ajo se ekziston si kufomë te Partia Socialiste. Dhe të tre ata kanë hedhur edhe ndonjë kritikë për Edi Ramën që përfiton ende nga mëshira e socialistëve të tronditur nga paaftësia e tij. 

Nuk është ndonjë lojë e sofistikuar kjo e këtyre zotërinjve. Është loja e vjetër dhe e dalë boje e opozitës të tipit Zubatov, që konsiston në faktin se përpara se të dalë dikush që e ka seriozisht kundërshtinë, për çështje principesh apo ideologje, është e udhës që opozitën ta bëjmë brenda për brenda. Me sugjerimin se jo vetëm neutralizohet poli i ri, por edhe emancipohet pushteti që të mos i drejtohet vetëm mjeteve të represionit. Kjo njihet edhe si Zubatovshçina edhe pse ndoshta të tre këta besojnë në atë që thonë ashtu si e thonë. Dhe kjo është për të ardhur keq, sepse të tre janë shqiptarë të respektuar dhe duhet të vazhdojnë të mbeten të tillë. Me të vërtetë. 

Të thuash në vitin 2019 se “nuk kam prova për korrupsionin e Edi Ramës” do të thotë t’i drejtohesh një audience ku spektator je ti vetë, edhe ashtu jo sepse ke prerë biletën e një shfaqjeje premierë, por sepse luan rolin plotësues si spektator që e ke zgjedhur po vetë.

Prova e gjallë që kërkohet sot është Shqipëria e kalbur që po shkon teposhtë në greminën e hapur nga korrupsioni që nuk ndërpritet, por ka hyrë në shkallë industriale. Dhe për këtë nuk ka ndonjë melhem veç zgjedhjeve, largimit të atij që ose nuk e ndal dot atë, ose e gjeneron.

Zotërinjtë në fjalë, janë padyshim të nderuar mes shqiptarëve. Fjalën e tyre e kanë dëgjuar shpesh dhe e kanë konsideruar. Por tanimë veshët janë vrarë me këngën e Berishës, mendja është lodhur me elegjinë e Edit që është “aq i mirë sa duhet” dhe nervat nuk mbajnë më për ta vazhduar këtë valle. Sepse kjo që bëjnë këta zotërinj është shumë fyese. Më fyese se përralla me arrorë e Sali Berishës. Ata duan të na mësojnë të mirën dhe të keqen në një vend ku ne e ndjejmë në kurriz se cfarë është e keqja, rilindja dhe progresi I qeverisë së gjeneratës tjetër. Ata po marrin rolin e mësuesit që këshillon dhe të heq mendimet e këqija nga koka. Diplomatë vizionarë që na gënjejnë për të mirën tonë, që duan që ne të merremi me Edin, por duke mbajtur në mendje Saliun.

Ciladoqofshin fjalët dhe fjalitë, formulimet dhe postulimet, pozat dhe akuzat, mesazhi katandiset në një dallim personal mes kryeministrit dhe ish-kryeministrit. Duke harruar se Shqipëria është po ajo paçavure që ishte.

Janë sugjestionuar këta zotërinj me të vërtetë nga e shkuara e afërt kaq shumë sa të përsërisin pa pushim një gjë të tillë, apo me të vërtetë na besojnë të gjithë budallenj, manipulatorë, keqdashës, cingunë dhe të ngushtë? Vallë këta e dinë më mirë se ne xhepin tonë, jetën tonë saqë duan të na përkufizojnë edhe memorien?

Ne kemi për detyrë që të jemi optimistë në këtë vend. Jemi shumë pak, shumë të vegjël dhe tërësisht vetëm në këtë botë, sa t’i lejojmë vetes gjatë pesimizmin. Ndaj nëse këta zotërinj kanë me të vërtetë për zemër Shqipërinë dhe shqiptarët, le të krijojnë një grupim politik, një opozitë të re. Koha e kërkon një gjë të tillë në vend. Patjetër që shumëkush do t’i votonte, do t’i besonte. Të tjerë do të dorëzoheshin sepse nuk kanë se çfarë të bëjnë më. Të tjerë akoma, do të mbyllnin sytë për ta provuar.

Kjo do të ishte shumë më mirë sesa kjo apologji e marrëzisë dhe hajdutërisë që po ndodh në mes të sheshit që flet dhe përçmon përmes luksit dhe arrogancës së ministrave anonimë të kësaj qeverie, që të neverit përmes 20 fjalive shabllon që përshkruajnë progresin, apo me statuset e dashurisë për atdheun. Meqë kanë zgjedhur rolin e mësuesit të paktën të kuptojnë neverinë ndaj kësaj qeverie. Do t’i ndihmonte në analizat – majtas – të tyre që nuk mund të vijojnë më me lejtmotivin: Kujdes nga Berisha! Thjesht nuk e ndihmojnë më këtë shoqëri edhe sikur të kenë brenda ndonjë të vërtetë.