Partizani u kurorëzua edhe zyrtarisht kampion i Superligës për sezonin 2018-2019. Trofeu iu dorëzua kapitenit Alban Hoxha gjatë një ceremonie  të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit pas ndeshjes kundër Kukësit.

I vetmi që i mungoi festës së kuqe por edhe tribunës së Selman Stërmasit deri në fund ishte presidenti i Kukësit, Safet Gjici, të cilin mesa duket “nuk e kanë mbajtur gjunjët” për të ndjekur etapën e parafundit të ekipit të tij. Gjici ka patur pritshmëri të mëdha këtë sezon për Kukësin, duke mos nguruar të japë ekspertizën e tij për garën sportive me Partizanin me një parashikim sa sfidues aq edhe kurajoz.

“Partizanin, ne e kemi lënë përpara si puna e biçikletes. Cilës skuadër do t’i mbajnë gjunjët deri në fund, ajo do të shpallet kampion. Partizani vazhdon përpara deri sat a mbajnë gjunjët, po i lanë do rrijë, po nuk i lanë do vazhdojë. Vetëm finishi do tregojë kush do e mbajë titullin”.

Në fotofinish skuadra e Kukësit u rendit e dyta, por me siguri për vitin tjetër jo vetëm ekipi por edhe presidenti duhet të përmirësohen edhe në aspektin fizik për të tejkaluar gjunjët e kundërshtarëve. Për statistikë, ndeshja e kësaj të diele u mbyll në barazim 1-1, ku kuksianët ndonëse kaluan në avantazh nuk e mbajtën dot rezultatin deri në fund.