Disa media pranë pushtetit kanë zakonin e dispeçerit të mesazheve politike të ardhura nga burime të ndryshme, përfshirë faktorë ndërkombëtarë. Nuk ka sesi të kuptohet ndryshe p.sh hapësira mediatike që i jepet një deputeteje si Rudina Hajdari, të cilën e gjen në disa faqe mediatike sa herë që ajo flet.

Nuk kemi të bëjmë me ndonjë rast që shkëlqen për elokuencën apo për talentin parlamentar. Jo. Zonja Hajdari është dëshmuar të jetë një ndër shfaqjet e mediokritetit në atë sallë mediokrish dhe kriminelësh me pushtet. Më tej akoma, opozitarizmi i saj njëditor nuk rrezaton shpresë dhe as përkon me ndonjë pritmëri. Zonja mori rol kur refuzoi të digjte mandatin e deputetit në kundërshtim me vendimin e partisë ku bënte pjesë dhe që e kishte bërë deputete. Janë këto të dhëna që i japin vendin zonjës Hajdari si një ndër 122 deputetët e këtij vendi pavarësisht se pushteti ka dëshirë ta trajtojë se zërin e opozitës.

Sot zonja ka paralajmëruar Presidentin e Republikës se do të shkojë në burg nëse vendos të shpërndajë Parlamentin.

Nëse mendoni se ky parlament do shpërndahet presidenti t’i thotë burgut hapu, nuk e ka këtë kompetencë

u shpreh Hajdari në seancë plenare.

Zonja e di shumë mirë që në Shqipëri ligji nuk do të thotë zbatim automatik, sikurse e di shumë mirë që nuk ka fuqinë politike që të imponojë një gjë të tillë. Në emër të kujt flet kjo zonjë dhe mesazhet e kujt përcjell në atë sallë? Të popullit të papërfaqësuar demokrat? Patjetër që jo. Ndoshta përcjell mesazhet e atyre që nuk dalin në skenë, e që mesa duket janë ata që i japin ende një fije sigurie kryeministrit të vazhdojë me kokfortësi kursin e përplasjes civile dhe të kërcënojë me burg sa majtas dhe djathtas.

Nëse këta faktorë “misteriozë” që luajnë këtë politikë janë kaq të fuqishëm, na mbetet të pyesim: përfaqësojnë humorin e ndonjë zyrtari të lobuar, apo politikë shtetërore? Sepse e dimë se në vende si Shqipëria, politika vihet në lëvizje edhe me një qëndrim nëpunësi. Fundja jemi një vend që kemi patur për tri ditë mbret një klloun gjerman, nuk ka ndonjë gjë të keqe pse rrotullohemi si pordha nëpër brekë nga fjalët e ndonjë perëndimori që dashuron Shqipërinë.