Mesazhi kryesor i të huajve për votimet e 30 qershorit është një: Jo dhunë! Përtej këtij mesazhi ka tolerancë, por në këtë kuadër vetë ky apel provon se ndërkombëtarët janë pjesë e problemit, përderisa kanë detyruar opozitën të kërkojë konfrontimin. Dikush vijoi sot me Pallavra Story duke aluduar se ShBA do të shpallë PD-në organizatë konspirative kundër ShBA-së. Citohen burime diplomatike të cilët nuk arrijnë të provojnë se cili është konspiracioni i PD-së ndaj Amerikës?  Edhe i shumëprituri, zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, ka sqaruar në një intervistë për Zërin e Amerikës qëndrimin e tij, por i cili ka kontradikta.  

Në kushte ideale ne do të kishim dashur që në zgjedhje të merrnin pjesë si partitë e opozitës, ashtu edhe të qeverisë. Këtë ua bëmë të qartë me forcë udhëheqësve të opozitës, përpara se ata të vendosnin të bojkotonin zgjedhjet. Është për të ardhur keq që vendosën ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet nuk duhen zhvilluar. Pas zgjedhjeve, do të ketë mundësi që të krijohet Gjykata Kushtetuese, është plotësisht e mundur që Gjykata të vendosë që zgjedhjet duhen përsëritur, por kjo i takon Gjykatës ta vendosë dhe jo politikanëve të veçantë

është shprehur ai. 

Zoti Palmer nuk ka vënë ultimatume por ka shpenzuar autoritetin e ShBA-ve për të përcjellë një mesazh pro qeverisë. Pa respektuar autoritetet e një vendi tjetër, pasi zgjedhjet në Shqipëri i ka dekretuar Presidenti, jo një politikan i radhës. 

Nga ana tjetër, cila është kostoja e një veprimi alternativ: krijohet Gjykata Kushtetuese dhe pastaj shqyrtohet dekreti? Me siguri që kjo nuk hyn në axhendën e përgjigjeve.

Palmer ka folur për përjashtim nga marrëdhëniet me ShBA të atyre që pengojnë zhvillimin e zgjedhjeve. 

Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përtej kësaj nuk mund të komentoj për situata hipotetike

është shprehur ai. 

Duke kuptuar mesazhin, duhet thënë se përshtypja krijohet se ShBA garanton kushtetutën e Shqipërisë përpara se kushdo, për ta shpërbërë çdo fakt politik e juridik në iluzionin e sovranitetit të një shteti që nuk është dhe një qeverie që ka rolin e policit rrugor.