Gazmend Kapllani ka shkruar sot diçka për qëndrimet e ministrit të Jashtëm grek Dendias që ka kërkuar nga Shqipëria të zbardhë arsyet dhe rrethanat e vrasjes së Konstandin Katsifas në Bularat.

Në fakt, shkrimtarit në fjalë nuk duhet t’i biem në qafë. Ai ka hedhur reflektimet apo reagimin e vet në Facebook, prej nga ku ja kanë marrë ventilatorët mediatikë të qeverisë për të përcjellë kështu atë që kryeministri nuk e thotë dot. Pra që Greqia nuk e kërcënon dot Shqipërinë dhe se ajo nuk duhet të sillet sikur Shqipëria të jetë vilajet i saj.

Përdorimi i mesazheve të tilla që autorizohen nga individë me distancë higjenike nga zhvillimet politike të Tiranës nuk është i ri. Kemi parë aktorin e shquar Laert Vasili që për muaj të tërë po shqyhet në mbrojtje të idesë qeveritare të prishjes së teatrit. E akuzon dot Laertin për ndonjë gjë? Pra se është i implikuar me njërën parti apo tjetrën? Jo. Laerti ka qenë në Greqi ku u përball si alvanoz dinjitoz me shovinizmin grek për të riemigruar në Tiranë ku bëri pashaportizimin e patriotit.

E megjithatë ky qëndrim i Kapllanit meriton vëmendje. Sepse vërtet që Greqia ka probleme të mëdha, por në rastin e Katsifas ishte fat që në Athinë ishte qeveria e Tsipras, e cila në një mënyrë apo në një tjetër e uli tonin. Por kjo nuk do të thotë gjë. Një shtet serioz e ka detyrim ndaj vetes dhe parimeve mbi të cilat funksionon të zbardhë një vrasje, sidomos kur bëhet fjalë për një shtetas të vetin. Prokuroria shqiptare nuk ka ende një konkluzion për këtë ngjarje, ajo as flet, as shprehet. Rri e pret direktivën nga kryeministri i qëndrimeve me sms private që sot bën edhe ministrin e Jashtëm.

Kjo është shqetësuese sepse nxit dyshimin se ky organ po mbulon atë që mund të quhet një vrasje shtetërore. Nuk e shqetëson kjo gjë zotin Kapllani? Si intelektual po themi që është brumosur me humanizëm në harkun mes dy vendeve?

Alergjia ndaj Greqisë është vijë e vjetër sjelljeje në Tiranë. Ajo është trashëgimi e elitave myslimane të Jugut të Shqipërisë që kishin arsye thjesht ekonomike të acaroheshin me fqinjin jugor. Alergjia nuk është gjë e mirë. Ajo është irrituese dhe të shqetëson. Objektiviteti nga ana tjetër do të ishte i dobishëm.

Ne sot nuk e dimë p.sh – pikërisht sepse nuk na sqarojnë intelektualët e kalibrit Kapllani – se çfarë na rrezikon më shumë: kërcënimet e hapura të Dendias ndaj qeverisë shqiptare, apo memorialet turke në mes të Tiranës?

Memoriale që kremtojnë nderimin e urdhëruar të një ngjarjeje që presupozohet se brohoritet nga mbarë kryeqyteti shqiptar. Kush është më e rrezikshme dhe më shqetësuese: Dendias që siç na thotë Kapllani flet për konsum të brendshëm, apo ky memoriali i turqve, ardhur pas takimeve private të kryeministrit me Erdoganin?

Të bërtasësh greku, greku, kur butë e qetë, aktorë të tjerë kanë vënë nën këmbë mbarë qeverinë, është më së paku naivitet. Kjo i duhet qeverisë së hallexhiut të Tiranës që të devijojë vëmendjen nga skandale si ky i memorialit për të cilin nuk di të japë një përgjigje ligjore.

***

Shënim: Shkrimit në fjalë i është hequr një paragraf për shkak se siç u informuam zoti Kapllani ka reaguar për memorialin turk. Ky ishte një gabim yni, për të cilin kërkojmë ndjesë dhe sigurojmë se asgjë nuk ka qenë me keqdashje. Mendojmë se pjesa e mësipërme qëndron për të trajtuar argumentin e ngritur.