Përplasja e parë në Gjykatën Administrative për çështjen e Kopshtit Botanik i dha të drejtë Universitetit të Tiranës që pretendon se VKM-ja e qeverisë që trasferon Botanikun nën administrimin e Bashkisë së Tiranës është në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe cënon autonominë e univesitetit

Avokatura e Shtetit dhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit pretenduan se çështja ishte administrative dhe se padia e firmosur nga rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni nuk ishte legjitime.

Sipas BIRN, përfaqësuesit e qeverisë dhe bashkisë vunë theksin se ndryshimi i pronësisë nuk prekte funksionet e Kopshtit Botanik, pra për rrjedhojë nuk cënonte karakterin akademik. Megjithatë, ata nuk ishin në gjendje të shpjegonin pas një sërë pyetjesh se pse ndërsa rektori legjitimohej si përfaqësues i UT në nënshkrimin e marrëveshjeve me bashkinë për përdorimin e kopshtit, por sipas tij nuk legjitimohej si përfaqësues i UT për këtë çështje në gjykatë.

Gjyqtarja vuri në dukje përmes pyetjeve se VKM-ja, derisa u kërkonte palëve të lidhin marrëveshje për përdorimit e kopshtit, prekte funksionet e tij “edukative dhe shkencore”, përkundër pretendimit të përfaqësuesve të qeverisë se padia ishte ngritur vetëm për një pjesë të VKM (trasferimin e pronësisë).

Në fund, gjyqtarja njoftoi se padia konsiderohej formalisht e ligjshme.  Nëse pranohej pretendimi i qeverisë dhe bashkisë, padia do të rrëzohej formalisht gjë që do të bllokonte përpjekjet ligjore të UT për të kthyer pas trasferimin e pronësisë. Ndërkohë, sa i përket ankimit të dytë për kompetencën lëndore ajo bëri me dije se vendimi do merrej nga një trupë gjykese me pesë anëtarë.