Lajmi që kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dha se në BE janë të pasigurtë për pasojat e vettingut në Shqipëri konfirmon në rrugë të tjera për katastrofën që quhet reformë në drejtësi. Zoti Zaev thotë se në Maqedoni aplikimi i vettingut në formën e një lloj revolucioni kulturor u refuzua. 
Pra Shqipëria është përdorur si eksperiment, por se nga shumica aktuale për të emëruar në drejtësi njerëzit e vet, se nga zyrtarët e BE-së, kjo nuk është e qartë. 

Në emër të reformës në drejtësi u premtua shumëçka. Vettingu që thuhet se do të zgjasë tetë vjet, ka prodhuar qysh tani një krizë të paparashikueshme për të cilën po zbulohet se është shkak një eksperimenti. Për të cilin nuk dimë ku ta vëmë gishtin. 

Mirëpo ky nuk është rasti i vetëm kur eksperimentimi tejkalon logjikën politike. Shumëkush e kujton një zyrtar amerikan me emrin Mathew Palmer të cilit i ecën shumë fjala në këto anë. Para votimeve të 30 qershorit ky zotëri doli në një intervistë dhe deklaroi se palët duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe më pas kur të krijohet Gjykata Kushtetuese të gjithë mund të ankohen aty për datën e të tjera çështje si kjo. 

Votimet u bënë dhe ato i njeh vetëm njëra palë që ka prodhuar kryebashkiakë me probleme ligjore. Gjykata Kushtetuese jo vetëm nuk është krijuar, por ajo është tanimë një dimension i shtuar i krizës që ka emrin ‘reformë në drejtësi’. Shqipërisë i duhet sot një këshillë nga zoti Methju, pasi siç e dimë kriza e Gjykatës Kushtetuese nuk gjen shpjegim apo zgjidhje në Ungjillin e tij të para 30 qershorit. Dhe nuk e gjejnë një gjë të tillë as ata që janë kunguar në kishën e drejtësisë së re dhe tempullit të saj të mbushur me pionerët e rinj të partisë.