Turqia ka marrë përsipër të ndihmojë Shqipërinë në këto ditë të vështira duke organizuar një konferencë donatorësh. Sigurisht që ndihma është edhe fianciare, edhe njerëzore edhe politike. Këtë nuk kemi pse të mohojmë, por Turqia ka meritën se ka përshpejtuar punën në ndryshim nga Europa që është më e ngadaltë.

Ndihma që jepet sot patjetër që konvertohet në dimension politik nesër. Këtë Ankaraja zyrtare e di shumë mirë dhe shumë mirë që e deklaron. Zoti Rama, kryeministri i Shqipërisë, i asaj Shqipërie që na thuhet se ka rilindur, se ka bërë përparime të mëdha, asaj Shqipërie që paguan 20 milionë euro një kilometër rrugë, ka bërë të ditur se Turqia jo vetëm do të ndërtojë 500 banesa, por edhe do të dhurojë çadra dimërore. Në këtë rast z. Rama po bën zëdhënësin e Turqisë në Shqipëri, pasi ai do të duhej të kishte minimumin e dinjitetit që të mos e shprehte vetë këtë fakt, pasi pyetja që lind është:  as për çadra nuk ka para ky shtet të paguajë?

Në datën 31 korrik 2019, ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka i përcillte Presidentit garancinë se Shqipëria është më shumë se kurrë gati që të përballojë emergjencat. Gjashtë muaj më pas, kryeministri i Shqipërisë luyp nëpër botë çadra për njerëzit që kanë mbetur rrugëve. Por nuk çudit asgjë në këtë mes. Jemi një vend dhe një shoqëri që kemi pranuar të qeverisemi nga hajdutë dhe banditë, pse të mos e pasurojmë cv-në edhe me paaftësinë epokale?

Kjo sa na përket. Lidhur me mënyrën si po veprohet me ndihmat, z. Rama po luan politikë tinzare. Ai po hap rrugën e thellimit të bashkëpunimit me Turqinë në kontekstin e pasojave të tërmetit, por duke lëvizur kështu me mesazhe politike për Europën që sheh se po humb terren në Ballkan. Kjo e ndihmave është e legjitimuar nga emergjenca e madhe, ndërkohë që Europa po dëshmohet apo po lejon të trajtohet si një entitet i ftohtë që nuk i do edhe aq shqiptarët dhe interesohet për ta veçse kur ka probleme si emigracioni. Kjo është një lloj propaganda tinzare që do na kushtojë në të ardhmen sepse riaktualizon një sjellje tipike thuajse në histori. Dhe këtë përplasje mes ambicies turke dhe ftohtësisë europiane po e mishëron në formën e një tregëtari z. Rama që preferon përherë marifetin përkundrejt politikave të qarta. Sepse marifeti të shpëton edhe nga dështimi që është spektakolar.

Por Shqipëria i ngjan një plake që i kanë parë ca sytë, ndaj kurthet apo ironitë e historisë nuk kanë munguar dhe as do të mungojnë që ta shpëtojnë nga kjo kuturisje e pashembullt e budallallëkut, aventurizimit dhe plaçkitjes.

Re.Pu