“Për fat të keq, shkruan Prof. Dr. Nasho Jorgaqi në artikullin e tij..., kleri katolik nuk u gjend me ato forca që u hodhën në luftë kundër pushtuesve fashistë. Përkundrazi,  kleri katolik në një mënyrë a në një tjetër i hapi rrugën pushtimit italian, e mirëpriti ushtrinë agresore duke cilësuar legjionet e saj “Pëllumba të Krishtit”...”.

Fjalët e “mirëpriti”...,e “Fishta  si prelat i lartë...nuk mundi t’i shpëtojë “tundimit” që i bëri fashizmi”... janë fjalë me nëntekst pejorativ, fjalë pa shije, pa vërtetësi, pa prudencë, fjalë të mbërthyera në pranga indoktrinimi. Një lajthitje: Shkruhet: “Fishta, prelat i lartë”,  jo: Fishta nuk ka qenë prelat i lartë, por ka fituar autoritet të madh në saje të veprimtarisë së tij e dëgjohej me respekt. (më gjatë shif veprën time: “Nëpër gjurmët e Fishtës”).

Në fakt, në Shkodër edhe gjetkë dëshirohej e mirëpritej ndihmë italiane për rrëzimin e Zogut, për të cilin kishin shumë dyshime, jo pushtimi italian. Kemi të drejtë të pyesim: Ku mbështetet autori që pohon një gënjeshtër? Pushtimi fashist u bëri shumë presione klerit katolik: fashistët ngulmonin të hiqej provinciali, Pader Ciperian Nikaj (më vonë i torturuar e i pushkatuar nga diktatura); të merren masa ndaj klerikëve antifashistë; kërkonin të zhvillohej lënda mësimore për fashizmin; (u shënjua lënda në orar të mësimeve, u caktua profesori dhe dita, në fakt nuk u zhvillua asnjë orë mësimi, sipas bisedave gojore me gjuhëtarin P. Justin Rrota

“Pader, e pata pyetë njëherë Justinin: Pse keni botue në revistën tuej materiale fashiste, si p.sh. Statuti i Partisë Fashiste”? Më pati përgjigjur: “Na çuen materialin, na nuk e botuem. Na thirren e na thënë se do t’ ju mbyllim revistën (na e pezulluan). Na u mblodhem dhe vendosem ta mbajmë revistën”. Kështu u botuan ato materiale!

U zgjata në presionet e fashistëve në fushën shkollore, por presione tjera kanë rënduar edhe në fusha tjera, si: në kuadrin klerikal, në anën financiare, në diskritimin e klerit, françeskanët i paditnin në Vatikan, se merren me politikë, etj.

Kuptohet këtu nuk është vendi të sqarohet ana financiare, por nuk mund ta besojmë në asnjë mënyrë, sa shkruan një historian, si konkluzion: “Kisha katolike, e kushtëzuar dhe nga nevojat e mëdha financiare, përkrahu si partner të mundshem shtetin fashist”...Kisha katolike ka qenë kontigjenti i parë i flijimit. Pra, të flasin dokumentat, jo na.

Që kanë marrë pare klerikët kryesorë të katër feve në formë subsidesh, kjo dihet. Këtu duhet vërtetuar çfarë trathtiet kanë bërë klerikët si shpërblim të pareve të marrura. Në jetën e vet, kleri katolik në Shqipëri është gjetur shumë herë ngusht, por nuk ka ceduar, si shkruan Fishta: “frangar non flectar”. Ndersa dokumenti që sjell Profesori është mirë, besohet më shumë duke u dhënë letra e plotë, e jo “ndër të tjera”, pa të ndyeme mizash, në origjinal e në përkthim, kuj i drejtohet e rrethana e udhëzime tjera, që të mos lihet hije dyshimi, sidomos kur je duke i marrë nderin tjetrit.

Kolec Cefa

Me shkurtime nga Shqiptarja.com