Elvis Naçi, bamirësi imam që ka fituar së fundmi vizibilitet të lartë, por edhe një rol publik jo të vogël, ka deklaruar në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” se ai ka refuzuar dy donacione nga shtetas serbë. 

Kam refuzuar 100 mijë euro për fondacionin Firdeus para tërmetit të 26 nëntorit nga një shtetas serb. Pas tërmetit më erdhi një donacion 5 mijë euro po nga një shtetas serb. Unë nuk paragjykoj asnjë por sa herë kujtoj gjakun e vëllezërve në Kosovë nuk mund ta bëj. Nuk do pranoj asnjëherë asnjë fond nga shtetas serbë

 tha Elvis Naçi.

Deklarimi është në dukje kontradiktor, mund të jetë i sinqertë, por nuk i shpëton interpretimit politik. 

Bamirësia nuk duhet paragjykuar, sidomos nga një njeri i fesë që përpara kombit ka vlerat universale. Në këtë rast zoti Naçi ka lënë veten të ndikohet nga thirrja nacionaliste, ose e komunionit fetar me shqiptarët e Kosovës. Përftohet këtu një optikë e solidaritetit fetar bashkuar me vëllazërinë si emërues etnik. Kjo mishelë është premisë për të sfiduar çdo narrativë ekzistuese edhe sepse mëton epërsinë morale ndaj elitës tradicionale laike. Është një optikë që  aktualizon idenë e një shumice myslimane, që është realitet. 

Është e vështirë të mendohet se zbulimi i këtij fakti ka qenë rastësor nga z. Naçi, i mësuar tashmë me dalje publike dhe me menaxhimin e pritmërive të publikut. Nëse pranojmë këtë gjë, atëherë kuptojmë disa gjëra: së pari imami kërkon konsensus dhe jehonë më të gjerë ndër shqiptarët sesa thjesht entuziazmi për veprat bamirëse të tij. Dhe kjo e kompromenton në perceptim bamirësinë e tij si veprimtari që mbështet synime të gjera. 

Elementi tjetër është fakti se aspekti nacionalist nuk tjetërsohet në asnjë lloj projekti që pretendon suksesin. Dhe z. Naçi ka aftësinë ta adoptojë atë me lehtësi. Myslimanët shqiptarë kanë qenë përherë të asociuar me nacionalizmin, por myslimanët e rinj shqiptarë, të pas ’90-ës kanë bërë çmos të shkëputen nga i ashtuquajturi islam tradicional shqiptar që vendoste kombin para fesë. 

Së treti del në skenë mënyra e menaxhimit të këtoj fondacioni. Serbët që kanë dërgua para e kanë bërë këtë në parim për shqiptarët dhe fondacioni është vetëm një adresë. Imami ka vendosur se paratë me dërgues serb nuk bëjnë, ndoshta mendon se edhe janë haram, por kjo shtron pikëpyetje. Të gjithë e dimë se fondacionet janë çështje delikate edhe sepse shpesh ngrihen dhe mbrojnë kauza të rëndësishme.

Në këtë kuptim si na garanton z. Naçi se dy shtetasit serbë nuk janë dy bamirës më kokëfortë se ai dhe dërgojnë paratë me banka ndërmjetëse? 

Është e qartë se kjo është pyetje retorike sepse me aq sa në lë të kuptojmë zotëria fakti i dy serbëve është edhe një truk që synoj tubimin emotiv të një pjese shqiptarësh. Nuk mund të mos konsidersoh këtu një sulm të tërthortë edhe ndaj nismave të fundit politike si Minishengeni që nga opozita po trajtohet si shitje te Serbia apo vëllazërim me të. 

Kemi të bëjmë me një kufizë të re politike në skenë që na dëshmon se ku katandisi establishmenti i vjetër politik, se ku mbërriti një kastë hajdutësh që janë bërë të neveritshëm dhe për të cilët kërkohet çdo alternativë. 

Koha e kërkon që njerëz si Naçi të deklarohen politikisht pasi ambiguiteti të konsumon më shpejt sesa gabimi në politikë.