Henri Çili doli nga qelia duke marrë me vete një vendim për detyrim paraqitje dhe duke paralajmëruar se do nisë studimet e thelluara për të drejtën penale në Shqipëri. Akuzat janë shumë të rënda dhe me të vërtetë që do të ishte punë e dobishme asimilimi i të drejtës penale nga z. Çili, çka në fakt siç dihet ndodh me të gjithë të dënuarit e të gjitha kategorive që janë në gjendje të parashikojnë dënimin në bazë të veprës penale.

Por ka një element që kësaj çështjeje i mungon. Të paktën paraqitjes së saj publik. Dhe kjo është siç është vënë re, personi ndaj të cilit akuzohet se z. Çili ka ushtruar korrupsion pasiv. Ky element mund të jetë në dosjen hetimore dhe ende nuk ka dalë në media, por media pranë pushtetit kanë raportuar se një emër I tillë nuk figuron as në dosje. Është diçka e çuditshme pasi cila është atëherë vlera e përgjimeve që çuan në pranga z. Çili?

Kjo nuk është pyetje retorike, por praktikë gjyqësore e Shqipërisë. Konkretisht ka një vendim që vlen si precedent në interpretimin e Kodit Penal në këtë rast që na thotë se korrupsion pa adresë nuk mund të ketë. Ose më saktë: nuk përbën vepër penale. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka marrë në vitin 2009 një vendimme nr. 503 ku ndër të tjera arsyeton se nëse:

... nga provat e shqyrtuara dhe të vlerësuara nga gjykata nuk rezulton e provuar që i gjykuari t’i ketë propozuar ndonjë prej personave qe ushtrojnë funksione publike ..." dhe të ketë ndikuar atëherë mungon një prej elementëve të veprës penale të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal

Do duhet pritur procedimi dhe klasifikimi i veprës penale të z. Çili, pra akuza dhe referenca ligjore. Por analogjia këtu është konçize sepse kemi të njëjtën situatë. Nga kjo pikëpamje, mungesa e emrit të funksionarit të supozuar të drejtësisë ndaj të cilit z. Çili presupozohet se ka kërkuar favorizim, krijon kushtet e dyshimit se ai e çliron në fakt në aspektin procedural z. Çili nga akuza, sipas kritereve të sipërcituara të një vendimi të Gjykatës. 

Nxitimi i Partisë Demokratike për të nxjerrë emrin e Sokol Sadushit është në këtë kuptim një lojë politike e cila teksa njollos një emër që lidhet ngushtë me reformën në drejtësi synon të shtrëngojë organet e hetimit që të përgënjeshtrojnë apo flasin. Duke e kthyer procesin në fiasko. Mbetet për t’u parë ende si do të ecet, por mungesa e emrit të funksionarit të drejtësisë po duket si diçka më shumë sesa thjesht një harresë për qëllime propagandistike. Aty qëndron në fakt edhe një element juridik që e nxjerr z. Çili të pafajshëm e që e shndërron të gjithë bujën e arrestimit të një process publicitar.