Shkrimtarët dhe artistët safi, sado qofshin qenie dhënë botës ideale pamëshirshëm e pa vetëmbrojtje, duan të hanë, të mbajnë shtëpinë, të çojnë kalamajtë nëpër shkolla, e të paguajnë taksat. Idealistë janë edhe shumë shkencëtarë, por ndryshe nga shkrimtarët dhe artistët, këta të fundit zakonisht tregu i vlerëson dhe i paguan herë aq sa vlejnë, herë edhe më shumë se vlejnë. Një kontribut i tyre shihet gjithnjë si një vlerë praktike për shoqërinë. Në këtë kuptim një inxhinier qoftë edhe i pavlerë, shpesh ka një jetë shumë më të sigurtë e një shtrat më të rehatshëm se shumë artistë me sqimën, ndjeshmërinë dhe forcën e pak mendjeve të species sonë. Atëherë si i bëhet me artistët dhe shkrimtarët? Shoqëria edhe kur i lexon, i përfill dhe i përdor, u merr dhe nuk u kthen gjë ose u kthen shumë pak, sepse në fund të fundit ata nuk ia rregullojnë bravën, nuk ia çlirojnë WC-në e bllokuar, nuk i bëjnë një projekt për shtëpinë që duhet ndërtuar, nuk i zënë vrimat e çatisë që u pikon dhe as i mbushin një recetë për kalamanin që ka temperaturë. Pra ata nuk ia zgjidhin problemin imediat që i ulëret tek dera. Ideja e pathënë është kjo: shkrimtarët e artistët e kanë për detyrë të na ushqejnë shpirtin dhe idetë (në fund të fundit, edhe sikur të mos duam ne, ata nuk rrinë dot pa na ushqyer… thjesht vuajnë sëmundjen e llojit), por për ata mendon perëndia, mëma e tyre e padeklaruar. Kur do, dihet se është gjithnjë e lehtë të lash duart.

Sidomos në rastin shqiptar, me shtet qw ekziston tradicionalisht që të përfitojnë shtetarët, me konsumatorin masiv me nivel të lartë varfërie, dhe me pasanikun sipëror me nivel të lartë makutërie por të ulët përgjegjësie sociale, i është lënë pikërisht perëndisë pesha e mendimit dhe kujdesit për ushqyesit e mendjes dhe për krijuesit e njeriut të madh brenda njerëzve të vegjël. Shteti ynë socialist ka pasur një traditë të gjatë në mbështetjen e shkrimtarit dhe artistit të realizmit socialist, të aftë apo të paaftë, të ndershëm apo spiun njëlloj. E mbështeste aq sa ai të mund të mbijetonte e t’i shërbente më mirë shetit dhe propagandës së tij: i jepte një apartament pa bërë punën vullnetare, si dhe ndonjë pushim të paguar veror. Artistit të lirë i paguante edhe rrogën mujore, por pastaj ia maste me cantim kontributin në formimin e njeriut të ri. Ama, që të mos ia hamë hakun, ia njihte vlerën, sido që kur i dukej se  i rrezikonte qenien, ia këpuste kokën.

Pas rënies së sistemit socialist idealisti që dikur kish një çapë bukë dhe komshinjtë e vlerësonin për muzikën që krijonte apo lehtësinë që kish me penën, e pa veten në mëshirën e pamëshirshme të fatit. Siç thashë, tregu i lirë për nga natyra e vet është krejt i palirë, madje ndëshkues mizor me lëvrues gjuhësh të vogla dhe pa peshë praktike në komunikimin botëror. Bota e riorientuar brenda pak sekondave në shinat e një tregu të egër këmbimi mallrash me vlerë praktike dhe që synonte fitimin e shpejtë e me çdo kusht, u gdhi me ide krejt të reja ndaj idealistit: ai papritur ishte i paaftë të mbijetonte, i padenjë të bënte hije mbi dhe, humbameno që s’u përshtatej kohërave. Institucioni shtetëror që mund të kish rol mitigues në këtë moment ferri social të bazës, u bë shembulli më i përsosur i përdhosjes së idealistit dhe streha e ngrohtë e karrieristit të paskrupullt. Grupi i njerëzve me ëndrra u rrallua. Një pjesë u zhduk që në fillesë a u shndërrua në diçka tjetër; një pjesë shkrimtarësh e gazetarësh gjeti mënyra të tjera mbijetese që e lejonin të fitonte disi: kush u bë copë duke kryer dy-tri punë njëherësh, kush nisi të marrë në krah para të lehtë televizionesh, kush u bë pronar e shkrimtar njëkohësisht, kush businessman dhe gazetar në vetë organet që zotëron, e kush paguhet bukur fare nga të tjerë pronarë, ideve të të cilëve u bën temena me hir a me pahir. Pak syresh sot janë të pavarur politikisht e ekonomikisht dhe i japin shoqërisë mjaltë që s’prodhohet në koshere fabrikuar prej njerëzish të fuqishëm. Ata që ruajtën ëndrrën i numërojmë me gishta. Por vetëm prej tyre ne si publik kemi të garantuar afërsinë më të madhe të mundshme me të vërtetën e atij që shkruan, ose thjesht të vërtetën. Vetëm kjo pjesë shkrimtarësh na bën lexues me dinjitet dhe qytetarë të ndërgjegjshëm. Vetëm kjo pjesë na emancipon e çon përpara si shoqëri.

Ardian Vehbiu është njëri prej këtyre të paktëve, një shkrimtar, studiues dhe gazetar me banim në NYC, që publiku shqiptar sot e njeh mirë, e pret dhe e kërkon.  Botimi i librave të Vehbiut është një rit i përvitshëm tashmë në Tiranë. Vetëm se, për nga cilësia, prodhimi i Vehbiut u rri larg punëve të një numri të madh shkrimtarësh që ngulmojnë të shkruajnë e të botojnë  për vit e me çdo kusht edhe kur ideja dhe forma që ofrojnë lindin të vdekura. Por Vehbiun lexuesit e njohin edhe nëpërmjet blogut të tij të famshëm tashmë, Peizazhe të fjalës (PTF), si dhe formave të tjera të komunikimit online me të cilat autori ka qenë shumë i sukseshëm. Personalisht kam bindjen se vlera shoqërore e komunikimit të tij të përditshëm me publikun shqiptar nëpërmjet PTF është e jashtëzakonshme, së pari sepse në të publiku shqiptar i ekspozohet ideve alternative, vështrimeve kritike dhe çelësave analitikë që s’i gjen kund tjetër në mënyrë kaq sistematike dhe cilësore, si dhe në doza elefanti; për më tepër, në këtë hapësirë Vehbiu i jep vëmendje reale e serioze komunikuese çdo ideje, çdo gafe, idiotësie apo gjëje të mençur që lexuesi do të diskutojë në logun e ideve. Vehbiu pjell copa të reja kritike (shpesh perla gazetarie) që hedhin në diskutim publikun, me dendurinë dhe lehtësinë me të cilën një njeri i zakonshëm buzëqesh.

Por këtë Vehbiu e ka bërë për shtatë vjet rresht pa mbështetje financiare prej askujt; ka shkruar e u ka dhënë xhevap njerëzve në laboratorin apo shkollën e vet online ditën dhe natën, verë e dimër, javë pushimesh ose jo, në shtëpi e jashtë saj, kur të afërmit e mbështesnin apo i nxeheshin… e ka bërë për ditë dhe me të vetmin interes që të avanconte një ide dhe të diskutonte një dukuri sociale që donte zgjidhje a ia vlente të diskutohej. Madje që të mund të merrej 100% me këtë punë që ai e vlerëson fort, Vehbiu la një punë të mirë në kuptimin praktik të fjalës, por që i merrte kohën e nevojshme për blogun. Unë s’i duroj dot heronjtë të cilëve u falemi edhe pa ua ditur bëmat; ata përforcojnë vetëm trushpëlarje kolektive. Por heronjtë e vegjël të së përditshmes dua t’i flas e t’i tregoj. Se çfarë force johyjnore i jep Vehbiut energjinë dhe pasionin që të verë talentin e vet në shërbim të njerëzve në mënyrën e aktivistit vetësakrifikues dhe të paepur, unë nuk mund ta shpjegoj veçse nën kornizën e një teorie për heroin e së përditshmes që shoqëritë pjellin rastësisht e në nevojë.

Të gjithë këtë punë, pa marrë asnjë grosh institucional apo shoqëror si shpërblim pune! Si ia ka dalë Vehbiu të jetojë normalisht e të bëjë sa i takon për familjen e vet? Me ditë pune që i kalojnë kufijtë e normales, dhe kuptohet me një aftësi individuale që gjithashtu është e pazakontë. Jeta e tij me modestinë materiale të një amerikani të mesëm që jeton në NYC, financohet nga përkthimi në disa gjuhë, që ai herë e ka për zemër e herë e bën se i duhet; ndërsa blogu ku ai absolutisht ka zemrën, vetëm i merr e i merr, dhe i kthen vetëm kënaqësi, dhe ndonjë herë trazim.

Dje kur hapa faqen e PTF pashë që po eksperimentohej me formën dhe paraqitjen e faqes online. Sot ishte rishtaz në formën fillestare, por Vehbiu, në mënyrë të përmbajtur por të qartë, i ftonte lexuesit që, sipas mundësisë dhe dëshirës, të kontribuonin financiarisht për blogun. Mbasi e kam lexuar Vehbiun për vjet me radhë, e di sa e ka matur propozimin e vet; di edhe se është nevoja që të verë në vend një parim të drejtë, dhe jo nevoja që të riformojë interface-in e blogut apo nevoja e tij financiar, që e kanë shtyrë të bëjë këtë propozim. Unë personalisht kur e lexova ndjeva një lehtësim që më bëri të psherëtij. U lehtësova si lexuese që ka vjet që e lexoj, kënaqem, revoltohem, marr pjesë me idetë e mia, dhe në total përfitoj prej blogut, pa dhënë asgjë në këmbim. Tani jam e lirë të mos ndihem si qenie që merr, por s’jep se… përse të japë. Alibia e përfitimit të pakushtëzuar rrëzohet me propozimin e Vehbiut, dhe lexuesi nuk mund të bjerë më në grackën e vet. U lehtësova si qytetare, sepse kjo marrëdhënie direkte me individin lexues, ma mban shkrimtarin që shkruan për mua, të lirë nga mundësia e vazhdueshme e korruptimit, dhe më siguron marrëdhënie të lirë me të vërtetën pa u forcuar nga morsat e interesit të shkruesit të blerë. U lehtësova edhe si njeri që shkruan gjithashtu për t’u konsumuar badihava, sepse një koleg formëson qoftë edhe me të vetmin qëllim të formësimit, faktin që për të pasur një marrëdhënie dinjitoze njerëzore, puna e kryer meriton shpërblim. Ky formësim i një strukture drejtësie të munguar, u jep dinjitet dhe vlerë të re shkrimtarit dhe lexuesit njëkohësisht.

Vehbiu nuk do marrë atë që meriton. Por rruga që ai ndoqi duke u lidhur direkt me lexuesin edhe në kuptimin material, në një marrëdhënie të lirë mirëbesimi total, është një mënyrë që ve në vend dinjitetin e munguar të shkrimtarit dhe lexuesit në një ambient institucional lëngues. Ajo ndërgjegjëson si lexuesin ashtu edhe shkrimtarin vetë për rolet e secilit, madje edhe vetë hapësirën ku shtjellohen këto marrëdhënie, dhe i bën ata të dy pjesëmarrës që zotërojnë gjuhën dhe strukturën e nevojshme në lëmin e negociimit të vazhdueshëm të ideve për të mirën e shoqërisë. Së fundmi, propozimi i tij, nëse merr përgjigjen e duhur ose jo, është rinovues dhe çlirues edhe thjesht për faktin se u formësua, dhe u formësua si një hap qytetarie dhe respekti për institucionin e punës dhe të kulturës së lirë në hapësirën publike shqiptare.

[i] Ky shkrim mund të ish titulluar më gjatë por më saktë si “Dilema e shkrimtarit të pavarur, lexuesi si qytetar i angazhuar dhe propozimi civil i Vehbiut”.