Herët apo vonë Europa do të duhet të përballet me problemin e emigrantëve nga Lindja. Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë në kufirin tokësor të tyre janë rikthyer me lloj-lloj incidentesh të përditshme që paralajmërojnë një krizë që pritet të shpërthejë. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka deklaruar së fundmi se muri në lumin Evros mes të dyja vendeve do të përfundojë dhe kjo nuk diskutohet.

Pala turke ka kërkuar përmes një note koordinatat e ndërtimit duke apeluar për konsensus dypalësh në këtë drejtim. Mirëpo Greqia e sheh këtë si çështje sovraniteti, pasi muri po ndërtohet brenda kufirit të saj.

Se çfarë bëjmë brenda kufijve të sovranitetit tonë kombëtar është privilegji dhe përgjegëjsia jonë dhe nuk jemi të detyruar t’i japim kujt llogari

është shprehur Dendias.

Pika e debatueshme është në një zonë përmbytjesh që figuron si greke në hartat e vitit 1923. Greqia dëshiron të zgjasë murin sepse do të vendosë kontroll mbi një rajon që sipas saj shfrytëzohet nga Ankaraja zyrtare për kalim të detyruar refugjatësh. Ministri grek ka hedhur poshtë pretendimet turke se në këtë zonë nuk ka koordinata të dakordësuara pasi sipas tij protokolli i vitit 1926 përcakton qartë pikërisht këtë kufi. Nuk është shumë e qartë se çfarë qëndron pas këtij tensionimi artificial, por ambasadori turk në Athinë, Burak Ozugergin ka deklaruar se:

kjo nuk është një mosmarrëveshje kufitare

Mirëpo një qëndrim i tillë nuk ofron asnjë lloj sigurie me një Turqi të paparashikueshme dhe që ka hapur frontin e politikës së jashtme në disa drejtime dhe pa arritur ndonjë gjë të madhe.