Arian Çani ka shqetësuar të gjithë shqiptarët e vërtetë me deklaratën e tij se i gjithë Ballkani ka qenë helen. Me shqiptarë të vërtetë kemi parasysh ata që e kanë bezdi të mendojnë para se të flasin, që kur flasin na rrëfejnë një shqipe të mjerë, kur shkruajnë na kujtojnë se gjithë njerëzimi do ketë patur dikur vetëm një gjuhë dhe vetëm kur qeshin e tradhëtojnë veten për mirë.

Deklarata e Çanit nuk ka asnjë të pavërtetë. Ballkani ka qenë dikur Helen dhe kjo është e vërtetë dhe mund të kuptohet nga ata që nuk e ngatërrojnë termin Helen me grek, ku i pari është kulturor, i dyti etnik apo që tregon kombësinë.

Fundja edhe vetë Roma dikur përjetoi një fazë helenizimi dhe për këtë ne kemi shkrime të të autorëve të njohur botërisht. Kaq depërtues ishte helenizmi dhe kaq forcë qytetëruese kishte ai.

Problemi në këtë rast nuk qëndron në replikën ndaj Çanit, që në fund të fundit do ta konsiderojnë se i thotë këto që thotë se “atë emision ka”. Problemi është tek ata që marrin kurajo të flasin për disa gjëra për të cilat duhet të flasin të tjerë.  Mirëpo e lë shqiptari i vërtetë të kalojë kështu një deklaratë të tillë? Kurrë.

Gazeta “Tema” i ka gjetur punë vetes këtë të djelë, duke rrëmuar si kundërshtare safi të Çanit…Rovena Stefën. Këngëtaren. E cila paska shkruar në Facebook se Çani është antishqiptar. Kemi Çanin që vetë e krruajti, tani gjetëm Stefën, këngëtare me formim solid në historinë intuitive, apo historinë me vesh për aq sa kuptohet nga statusi i sjellë dhe bam: Lajmi u bë. Stefa i përgjigjet Çanit. I cili mundet të jetë duke fjetur apo ngrënë paçe për qejf të vet.  

Kështu ne kuptojmë përmes “gazetës më të lexuar” se këtu shqiptaria nuk e lë helenizmin të thotë çfarë të dojë. Qetësohet njeriu i shkretë kur sheh se paska akoma shqiptarë të vërtetë dhe mbi të gjitha media që nuk heqin dorë nga misioni i tyre patriotik.

Po tani çfarë do thotë Çani? Ku i dihet? E vërteta po del në shesh: Ballkani ka qenë Helen ndoshta për Çanin, por Rovena Stefa dhe gazeta “Tema” provojnë se ai është shqiptarizuar në disa pjesë. Aq shumë madje sa nuk ia gjen dot kuptimin. Ka p.sh gazetari të tillë gjetiu? Ka patur? Kurrë! Dhe ne dimë vetëm këto që lexojmë, pasi po të dinim çfarë thuhet në kafene dhe në Pazar, Helenizmi do ishte vetëm në imagjinatën e njerëzve si Çani.

Shpresa është e madhe në këtë vend sidomos me ligjin e ri për pakicat. Fundja 300 firma gazetarësh mund të mblidhen tani apo edhe këngëtarësh e të kërkojnë të shpallen çfarëdo lloj gjëje që të duan në këtë vend laramanësh ku e mira ka lënë vetëm bajgat që në fillim si dhe një mentalitet që e has kudo, romë, evgjitë, shqiptarë, grekë e arumunë.