Në mdiat turke po qarkullon video e një prifti ortodoks në Greqi, Evangelos Papanikolau të Kishës së Rafinës sipas të cilit ata që sot qajnë për Shën Sofinë bëjnë mirë të pranojnë të vërtetën historike. Duke meshuar, Papanikolau ndër të tjera ka deklaruar se vendimi i Erdogan për kthimin e Shën Sofisë në xhami është pozitiv edhe në raport me mbajtjen e atij tempulli si muze.

Ku ishin turqit ishte më mirë. Turpi ynë por kjo është e vërteta. Në Kretë turqit nuk mbyllën asnjë manastir, ndërkohë në Greqi me dekret të mbretit Oto u mbyllën një numër i pafundëm manastiresh dhe kishash...u morën reliket dhe argjendi dhe u bënë rroga për shtetin. Të mos ishte për turqit Shën Sofia do kishte rënë

citohet ndër të tjera Papanikolau.

Qëndrimi në fjalë denoncon hipokrizinë e madhe që ka rrethuar këtë çështje ndërkohë që xhamia e re ka në historinë e vetë të gjithë kalimin historik të Turqisë dhe Bizantit dhe nuk mundet të pretendohet më si monument i një pale. Sigurisht që vendimi i Erdoganit mund të interpretohet në shumë aspekte dhe është interpretuar si i tillë, por në të gjitha qasjet që janë bërë mungon një që  nuk ka pse të injorohet: që presidenti turk të ketë vepruar edhe si besimtar përveçse si shtetar. Dhe nga kjo pikëpamje shndërrimi i Shën Sofisë në xhami merr edhe një aspekt njerëzor dhe religjioz përveç atij thellësisht gjeopolitik që nuk mungon, por që në çdo rast nuk i shton asgjë historisë, ndonëse prek telat e momentit.