Europa ka vendosur ta quajë Lukashenkon si dikë që vjedh zgjedhjet. Mediat perëndimore raportojnë se Ministria e Jashtme gjermane ka autorizuar një zëdhënës që të flasë për “të dhëna të caktuara për mashtrime në zgjedhjet presidenciale” dhe madje se “nuk janë respektuar as standardet minimale të votës”.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka folur për dhunën ndaj protestuesve duke cilësuar se “në Europë nuk ka vend për atë që dhunon protestuesit paqësorë”. 

Ky qëndrim në thelb gjerman na vendos para sjelljes me dy standarde të kësaj Europë që nga njëra anë sulmon presidentin bjellorus në emër të vlerave dhe normave demokratike, kurse nga ana tjetër njeh dhe mbron zgjedhjet me një parti në Shqipëri dhe Serbi.

Kjo është temë e ezauruar tanimë, sikundër po ezuarohet besimi se Europa përfaqëson me të vërtetë diçka demokratike. Ne mund të hamendësojmë se mbështetja për njerëz si Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç do të vazhdojë sa kohë këta nuk do të sillen si Lukashenko, nuk do të flirtojnë me Rusinë apo me ndonjë fuqi tjetër, por do të vazhdojnë të pranojnë atë që u kërkohet. Neve kjo do të na shitet si teatër demokratik, kur në fakt jemi asgjë më shumë se konsumatorë të një republike bananesh.