Sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vetë me origjinë nga Terpani i Beratit, apo Urës Vajgurore, ka njoftuar se një shkollë në zonën e Unazës së Madhe do t’i vihet emri, Andrea Stefani.

Publicisti ndërroi jetë pak vite më parë dhe mbahet mend përmbi të gjitha si një gati armik publik i Sali Berishës. A mund të quhet kontribut i qenësishëm një gjë e tillë? A mund të shërbejë kjo disidencë e rreme si vlerë publike? Për zotin Veliaj, Stefani hynte te gazetarët e ndershëm, duke na shpallur kështu se ai bën auditin moral të medias.

Fëmijët e kësaj shkolle do të shkojnë në një institucion që mban emrin e një figure të angazhuar që tanimë patronizohet si aset i një krahu politik. Dhe do të duhet që në vend se të kuptojnë se kush ishte, të mësojnë ta injorojnë. Sepse emrat e institucioneve arsimore në Shqipëri janë konvencione të një kohe, jo të disa vlerave të përbashkëta. Ndaj edhe askush nuk i marrë seriozisht.

Këtu nuk është vendi të diskutojmë mbi rëndësinë e Stefanit në fushën e gazetarisë, por nëse është e dobishme që emri i tij të vihet në një institucion arsimor? Kur puna e tij nuk është shoshitur mirë, kur nuk ka një antologji për median e tranzicionit, apo një biografi për të. Në mënyrë që vlerësimi të ketë një farë relacioni me rëndësinë e punës dhe kontributit.

Këtë zanat e nisi Enver Hoxha që mbushi Shqipërinë me emra partizanësh, një hartë simbolesh dhe emrash që emfatizonin një histori politike, e vazhdon sot Rilindja. Babai politik I Veliajt, Edi Rama i vuri një rruge emrin “Dritan Hoxha”, pronarit të Top-Channel, vdekur në një aksident rrugor. Por çfarë përfaqëson kjo zgjedhje për qytetin?

Asgjë më shumë sesa politikën Tirana tironsave! Atyre që vijnë nga bezja e kuqe kuptohet e që me liberalizmin për të vënë emra përmbushin si padashur porosinë e Leninit dikur: Lapidarë kudo.