Kryeministri i Shqipërisë ndodhet në një pozitë të vështirë publike. E vështirë në perspektivën e dëmtimit të imazhit, ashtu siç e percepton ai. Kemi të bëjmë me të ashtuquajturën çështje e detit me Greqinë.

Kryeministri Rama ka reaguar me shpejtësi për të sqaruar opinionin se çfarë kuptimi ka deklarata e kryeministrit grek për zgjerimin e 12 milje në detin Jon. Në emër të arsyes dhe ligjit ndërkombëtar, z. Rama po vetëshërbehet me gazetarët e zakonshëm me qëndrime dhe komente që sipas tij do të duhet të davarisnin këtë mjegull që është krijuar pas shprehjes së njohur: iu fal deti grekut.

Publikohen harta ngjethëse që e paraqesin një vijë kufitare mu pranë Himarës, pastaj flitet për tensione mes Turqisë dhe Greqisë, ndërkohë që Shqipëria nuk ka as edhe një ekspert të vetëm që të paktën të shpjegojë se çfarë kuptimi ka kjo që po ndodh. I vetmi që flet për këtë çështje, Ksenofon Krisafi, është duke bërë përgatitje serioze për të ardhmen.

Ajo çfarë po ndodh është asgjë më shumë sesa restua e qëndrimeve të mëparëshme të z. Rama. Dikur në vitin 2009 kur sapo humbi zgjedhjet dhe po bëhej gati për turin “Hap kutitë ose largohu” si dhe “Gjithë fajin e ka Saliu”, z. Rama në cilësinë e kryetarit të PS-së në opozitë autorizoi një ankimim në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes së arritur nga qeveria Berisha me qeverinë greke. E bëri këtë duke mëshuar me propagandën e vet te tradhëtia e Berishës, te shitja e detit që asokohe u tha se na la mangut me 350 km2.

Gjykata i dha të drejtë ankimimit të PS-së, por në çështje të të tilla ka një hapësirë të madhe mes ‘tradhëtisë” që hidhet lart e poshtë si element retorik dhe keqnegociimit, apo negociimit ndryshe. Një parti apo organizatë është serioze kur bashkë me kauzën e vet, sqaron edhe opinionin. Zoti Rama bashkë me organizatën që drejton zgjodhën të bëjnë ankimin në formë korrekte juridikisht, por ta helmojnë opinionin.

Sot po ndodh e njëjta gjë. Janë efektet e atij helmimi të vitit 2009-2010 që nuk lë njeri as të shohë qartë e as të lexojë dhe kuptojë se çfarë do të thotë një term dhe një deklaratë nga tjetra, por mjafton të ngresh temperaturën me fjalën “greku” dhe 70% e dëmit është bërë.

E mira e kësaj pune është jo vetëm mësimi për z. Rama që reagon sa herë ndjen rrezikun për vete, por edhe zbulimi që po bëjmë për dashurinë e presidentit për Kushtetutën. Vetëm se tallja duhet të ketë një cak. Marrëveshjet ndërkombëtare firmosen, ratifikohen nga Parlamenti dhe mandej duhen dekretuar. Dhe mund të ankimohen sërish në Gjykatë. Ndaj përpara se të zbulohet tradhëtia e radhës është mirë që edhe të sqarohet opinioni. Qoftë edhe nga opozita, e cila nuk mund të sillet njësoj si PS-ja dikur.