Pas detit Shqipërisë po kërkojnë t’i marrin edhe identitetin. Në krye një beteje të vockël por me fitim të kësaj “lufte” është vënë Auron Tare, një personazh tipik i tranzicionit. 

Sapo është marrë vesh se Parku i Butrintit do te menaxhohet për 10 vjet nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim ka nisur vala e dytë e "patriotizmit".

Butrinti ka nevojë për përmirësim, ka nevojë për administrim, për koncept. Por, në asnjë mënyrë nuk mund t’u jepet të huajve për menaxhim. Së bashku me profesor Neritan Cekën kur kemi qenë bashkë në një debat, ne renditëm një seri arsyesh pse nuk mund t’i jepet një fondacioni privat. Nëse do ndodhë, atëherë ne do kemi për shembull, një fondacion grek që mund të marrë Tepelenën, një fondacion turk që mund të marrë Krujën. Nëse ka nevojë për PPP në fusha të ndryshme , në trashëigminë kulturore është e rrezikshme për disa arsye, por më kryesore është identiteti, nuk mund t’u jepet të huajve. Por, nuk kemi model tjetër në Evropë. Duhet të jetë një bërthamë shqiptare, nuk mund t’ia dorëzosh trashëgiminë tënde kulturore një kompanie të huaj

thotë Tare.

Ky lloj parashtrimi ka disa probleme duke nisur që nga varfëria në të shprehur e dikujt që i është futur detit me këmbë. Të kundërshtosh dhënien privatit të një siti arkeologjik është një e drejtë shprehjeje, por kjo jo domosdoshmërisht e bën atë “koncept”. Per Butrintin ka një koncept që quhet Plani i Menaxhimit, tjetër punë cilësia e tij. Nuk po na thuhet nëse ka diçka korruptive aty, thjesht se pas planit ka të huaj. 

Së dyti z. Tare deklaron se këto pjesë të trashëgimisë kulturore nuk mund t’u jepen të huajve dhe nis e bën shembuj me nëntekst nacionalist duke cenuar edhe atë pak besueshmëri që jep një figurë si ai në media. 

Butrinti nuk përfaqëson kurrfarë lidhjeje apo reference për identitetin kombëtar shqiptar. Të jemi seriozë dhe të mos e katandisim debatin në nivelin e Marin Memës. Butrinti është dëshmi e një qytetërimi antik mesdhetar, pasuar nga një vijimësi e gjatë ku ka patur përherë vulën e perandorive që e shfrytëzuan dhe e administruan.

Suksesi i Butrintit në planin e menaxhimit lidhet me të huajt dhe ka njerëz që e dinë rolin e Fondacionit Butrinti në promovimin e tij.

Të kemi parasysh se po flasim për një sit që është pasuri botërore, që i flet historisë së të tjerëve më shumë sesa historisë sonë dhe na duhet të pranojmë një rol të të huajve.

Ne jemi një vend që krenohemi me pasuritë arkitektonike të të huajve të cilat i nacionalizojmë në ndërgjegje duke u vënë një flamur sipër. Por historia është po kaq serioze sa edhe karagjozllëku ynë që ka zararin e vet dhe ajo na e ka gjetur vendin.

Për cilat arsye atëhere nuk duhet të jenë të huaj? Sepse mbeten pa pjesë specialistët shqiptarë? Duhen argumente të tjera për ta mbështetur këtë pretendim por që në çdo rast do të ishte luftë e humbur. Shqiptarët e Auronit e kanë patur Butrintin dhe ata dhanë aty kompensim prone e më vonë një leje ndërtimi për lokal. 

Ca më keq kur e sheh zonën në tërësi dhe kupton se çfarë mynxyre është të biesh në dorën tonë. Kush udhëton drejt Butrintit mund ta dallojë me sy të lirë ndryshimin radikal, dramatik në peizazh sapo kalon Ksamilin dhe marrëzinë e tij urbanistike.

Butrinti është madhështor pikërisht sepse aty nuk duket kund turiri unë psikologjik, neuroza jonë e goditjes primitive mbi mjedisin dhe çmenduria e ndërtimeve kuturu dhe pa asnjë kriter tjetër veç fitimit. E pra, Butrintit ne sot i admirojmë profilin qytetërimor të tij që ja kanë dhënë ata që e gatuan dhe do të humbisnim shumë nëse do lejonim që ta shndërronim atë në një shëmbëllim të Kamzës. 

Butrinti ka qenë i yni vetëm 75 vjet, ndaj të tregohemi më të përulur me historinë sepse aty atë e kanë bërë të Tjerët.

Halli i Auronit dihet ku është por kjo ndërhyrje nuk ka të bëjë me intelektualin nga Nivica që po bën luftën e vet të ’20-ës, por me lehtësinë e kapjes dhe përdorimit të nacionalizmit edhe për çështje që kanë nevojë për pak kujdes. Minimumi do të ishte një argumentim real në kundërshtimin e planit, pasi po të jetë për aftësi dihet se joshqiptarët janë më të përgjegjshëm.