Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka deklaruar së fundmi se populizmi mbi pandeminë e tanishme është papërgjegjshmëri.

Gënjeshtrat dhe dezinformimi, komploti dhe urrejtja jo vetëm që ndryshojnë debatin demokratik, por edhe luftën kundër virusit… Ajo që është shkencërisht e rreme duhet të përcaktohet qartë si e tillë. Populizmi nuk është vetëm joreal, por edhe i papërgjegjshëm

theksoi kancelarja gjermane në një fjalim para deputetëve një ditë pas njoftimit të mbylljes në Gjermani.

Qëndrimi në fjalë konfirmon një karakteristikë të qeverive në Perëndim që lidhur me situatën e pandemisë, po kërkojnë të gjejnë fajtorët në armikun e ri të intersit publik: Median Sociale. 

Është e vërtetë që ka shumë abuzime, manipulim dhe dizinformim, por këtu qeveri si kjo e Gjermanisë p.sh duhet edhe të kërkojnë falje për atë që kanë bërë deri më tani. Për propozimin e masave të ndryshme, të trajtimeve me medikamentë, me klasifikimin e virusit dhe sëmundjes, për ndryshimin e masave dhe vlerësimeve. Ne mbajmë mend të gjithë sesi eposi i maskave kaloi nëpër disa qëndrime publike, pohuese/mohuese të OBSH-së për të mbërritur sot në absurditete si këto në Shqipëri, ku maska është me detyrim në rrugë, por jo në bare.

Vërtet që ka populizëm dhe shpërdorim me frikën e përgjithshme, por atë e ushqeu më së shumti paaftësia e qeverive që nuk ditën të reagonin dhe iu përshtatën rrethanave. Ka shumë çështje për të cilat qeveria ka zë real dhe autoritet faktit. Por Shëndeti nuk është një gjë e tillë, sepse e drejta e jetës që kaq shumë trumbetohet si arritje demokratike, nuk ka kurrfarë kuptimi pa vetëmbrojtjen. Vetëm komunizmi arriti – pas Kishës – që si rend laik të dënonte Vetëvrasjen, por askush nuk e ndalon dot atë. Çka na ilustron se Jeta tejkalon kanonet e shoqërisë dhe rregullimet e saj. Ndaj nëse sot shohim se bota po e sheh si të pranueshme zëvendësimin e demokracisë liberale, kjo vjen edhe për shkak të njerëzve kaq të përgjegjshëm si Merkel apo Conte, të cilëve ndonëse nuk u mungon arsyeja, mesa duket u mungon intuita që është kaq e domosdoshme në situata të tilla.