"Ne do bëjmë shtet". Për publikun shqiptar tingëllon si një togfjalësh sa ushtarak aq edhe teatral, por në fakt ky ka qenë zotimi politik i Edi Ramës kur kërkoi votat për t'u bërë kryeministër i vendit.  Parrullë të cilën e ka përsëritur kur i është dashur të justifikojë brutalitetin e aksionit për vjeljen e detyrimeve të prapambetura të energjisë dhe atë të ndërtimeve pa leje. Një mesazh që u përcoll nga lart poshtë për të na kujtuar se nuk ka tolerancë me ligjin kur bëhet fjalë për të marrë ato që i takojnë shtetit, me hir apo me pahir. Në emër të shtetit pati të shoqëruar, të proceduar, të burgosur dhe të mos harrojmë, të vetëndëshkuar me vetëvarje në qelitë e paraburgimit. “Marrëzia” e shtetit të ri detyroi punonjësit e administratës të shkonin  në punë me librezat e energjisë në xhep për të shpëtuar ndonjë fluturim të papritur nga puna.

Në shtator paralajmërohet një aksion i ngjashëm për faturat e ujit dhe një zbarkim në terren i tatimorëve për të disiplinuar kasat fiskale dhe bizneset që mbajnë ndonjë bakshish sa për vete.Me pak fjalë shteti që ka në kokë kryeministri për ne, popullin e padisplinuar është shteti që  nuk të fal asnjë kacidhe edhe pse shërbimet dhe garancitë ligjore që të ofron janë pak të thuash mizerje. Megjithatë të gjithë biem dakord që informaliteti duhet luftuar pavarërisht kostove dhe si i tillë është një operacion i nevojshëm për të mirën e përbashkët. Por paralelel me këtë shtetin që Edi Rama po ndërton për ne popullin ka dhe një shtet tjetër, shteti për sërën e të pasurve dhe të fortëve politikë. Ky shteti i të pasurve dhe të fortëve vepron me të tjera standarde, ka të tjera pikëpamje për informalitetin dhe paligjshmërinë. Dhe vijmë te fjalët e Platonit që thoshte se në çdo shtet egzistojnë dy shtete, shteti i të varfërve dhe shteti i të pasurve.

Meqënëse Edi Rama përfaqëson shtetin duhet ta dijë që në 25 vite tranzicion ka qenë shteti që ka nxitur dhe lejuar informalitetin, ndërsa njerëzit kanë gjetur mënyra për të mbijetuar sipas botëkuptimit të tyre. Po ashtu Edi Rama duhet ta dijë se shteti në këto 25 vite u është dashur  vetëm politikanëve, përfshi edhe Edi Ramën në 15 vitet e fundit si ministër, kryetar bashkie dhe kryeministër  për t'u pasuruar dhe për të ndërtuar vila për vete dhe fëmijët.

Me çfarë parash janë ndërtuar vilat dhe janë blerë pasuritë nga Ksamili në Shëngjin, nga Qerreti në Surrel, përse shteti ynë që është në luftë me informalitetin nuk na e thotë. A e justifikojnë dot pasurinë përfaqësuesit e “nderuar” të shtetit përfshi këtu edhe Edi Ramën me rrogat që kanë marrë gjatë viteve si deputetë, ministra apo kryeministra? Shteti duhet të na bindë fillimisht dhe të na vërtetojë që Edi Rama dhe të tjerët nuk janë informalë dhe pastaj të vërsulë ushtrinë e policisë elektrike, tatimore apo ndërtimore për të na formalizuar. Në çdo cep të Shqiperisë informaliteti është i dukshëm dhe dukshëm i paprekshëm, nga vilat luksoze të parisë deri tek makinat e shtrenjta të të fortëve që merren me mall. 

Në këto 25 vite njerëzve të thjeshtë shteti nuk u është dashur për asgjë, vetëm sa u ka prishur gjumim, punën, pronat, pasurinë, pensionet,  edukimin dhe  të ardhmen e fëmijëve. Ky shtet vetëm ka grabitur, ka gënjyer, ka varëfëruar dhe asnjëherë nuk na ka mbrojtur popullin e tij. Dhe këtë vazhdon ta bëjë pavarësisht se kush është në krye të tij.

l.mitro