Fajin e ka Saliu. Të gjithin. Madje fajin e ka edhe “Facebook” që i lejon Saliut të flasë përditë. Vetëm 2 vjet e gjysmë nga ndërrimi i pushtetit, një sërë mediash apo analistësh, po i rikthehen tezës “Saliu”, e cila duhet thënë se ka ndikuar shumë që disa analistë të bëhen ata që njihen sot: pra analistë. Se për çfarë të shkruhet vallë po nuk pati pak Sali të paktën një herë në javë?
Si bojatisje e kësaj fryme që po i zë frymën debatit publik për problemet e vërteta të qeverisjes, e pra edhe të vendit, u shfaq së fundmi një e ashtuquajtur profeci. U shfaq nga viti i largët 1992, kur të gjithë nuk dinin asgjë tamam, një fjalë e të ndjerit Gramoz Pashko në një aktiv të PD-së. Që paska thënë fjalë profetike: “Pashko është gozhdë në politikën shqiptare, si hija e Bankos pas Makbethit. Unë nuk dua as poste, as grada, as tituj...”, thoshte Pashko asokohe. Kjo gozhdë në politikë mbeti e tillë vetëm në fjalë, pasi koha provoi se autokracia që u vendos mori përpara të gjithë, e në fund edhe veten. Çudia është se divorcimi Pashkos me autokratin Sali Berisha që i thoshte se “ke filluar të mendosh se ti je e vërteta, ke filluar të mendosh se ti je personifikimi i demokracisë, mendon se ti je drejtësia, mendon se ti je ylli që ndrit, se ti mund të bësh çfarë të duash”, ishte e përkohshme. Se këto fjalë i mori era në vitin 2005 kur parimorët e pseduofraksioneve të PD-së u panë të gjithë në krah të Autokratit, ose më saktë me sytë mbi tortën e pushtetit. E me ta ishte edhe profesor Pashko. Ja edhe ëmbëlsira: “Do të luftoj deri në fund kundër dhunuesve të kësaj lirie. Ata janë armiqtë e mi, qofshin komunistë, qofshin fashistë”. Kushdo mund të besojë atë që dëshiron, por edhe historia i ka të regjistruar ngjarjet. Pak përpara se të vinte në pushtet, Sali Berisha do të shprehej nën një intervistë se “çekun e bardhë ma bëri peshqesh Gramoz Pashko”. Dhe çeku i bardhë ishte modeli i vitit ’90 i lugës së floririt, ndonëse nuk dihet si ta kualifikojmë historikisht: naivitet, profeci, ëndërr, apo një kockë për shqiptarët që nuk dinin ku kishin kokën?