Ministri (edhe i) Turizmit Arben Ahmetaj deklaroi se fundi se frekuentimi turistik këtë vit pritet të kapë shifrën e 3.5 milionë vizitorëve. Një numër jo i madh krahasuar me vendet e rajonit, por më shumë se vitet e tjera për Shqipërinë. Loja me deklarime shifrash çdo sezon turistik është e vjetër në Shqipëri, dhe është luajtur rëndom nga ministrat e linjës. Por në rastin konkret, Ahmetaj është dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe veç kësaj, prononcohet edhe për çështje që i takojnë kolegut të Financave, siç janë kasat fiskale, evazioni etj. Ai pohoi se rreth 50% e bizneseve, në mos më shumë nuk e përdorin fare kasën. Në rastin e shërbimeve turistike, sidomos të dhomave të hoteleve dhe restoranteve, shumë pak turistë kanë marrë sivjet një faturë tatimore në dorë, kur kanë paguar për shërbimin. Atëherë sa para taksash nga industria turistike pret të marrë qeveria sivjet? Me një llogari shumë sempliste, nëse secili nga “turistët” do shpenzonte një shifër minimale prej 30 eurosh në ditë (strehim, ushqim, argëtim), taksa e shtetit do ishte 20% ose 6 euro. Pra në një ditë, nga këta vizitorë shteti do vilte rreth 21 mln euro. Shumëzimin për ditë qëndrimi po e lëmë evaziv.

Sa ka vjelë, ose shpreson të vjelë taksa shteti nga këto të ardhura? Apo e ka më të lehtë të gjëmojë këmba këmbës kafenetë e lagjeve?

a.j