Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot një intervistë të dhënë për revistën “Forbes”. Është një ndër ato prezantime mediatike që i shërbejnë të intervistuarit, më shumë sesa hedhin dritë mbi problematika të ndryshme. Kush lexon intervistën krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një auto-profilizim në formën e një interviste që i shërben dhe kërkon audiencë “të ngritur”. 

Unë nuk dua ta shoh Shqipërinë të bëhet një objekt zilie për aktorët e fuqishëm që veprojnë jashtë kufijve europianë. Fuqi, të cilat, për më tepër, nuk ndajnë të njëjtat standarde të demokracisë si BE

thotë ndër të tjera z. Rama që bën një deklaratë të fortë dashurie por që padashur e vendos Shqipërinë në pozitën e një kurtizaneje.

Aq e ekzagjeruar është toleranca e një “gazetarie” të tillë, saqë p.sh bën një pyetje fare pa kuptim:

Si i keni marrëdhëniet me pushtetin? E cila merr këtë përgjigje:

Sot, si Kryeministër, unë jam më i ekspozuar ndaj jopopullaritetit sepse bëhet fjalë për fillimin e reformave strukturore në nivel kombëtar…Ju duhet të jeni shumë bindës dhe i durueshëm në shpjegimin e meritave të veprimit tuaj. Më në fund, do të huazoj një citim tjetër nga presidenti Mitterrand i cili ka folur, dhe me të drejtë, për ”vetminë e udhëheqësit”. Ishte e vërtetë dje, është e vërtetë edhe sot

Kemi një paragraf ku kryeministri spekullon, në mos gënjen. Sepse ai nuk i është ekspozuar kurrfarë jopopullariteti pasi është në karrige për dy dekada. Madje ai qëndron i patundur në ambicien e vet për një mandat të tretë edhe pas dy mandateve mbushur me skandale. Rënia e popullaritetit apo më saktë pakënaqësia ndaj tij lidhet me korrupsionin tanimë lakuriq në mes të ditës dhe shuarjen e çdo shprese për ndryshim. Zoti Rama e thekson tonin që i vendos profilit të vet kur e lidh këtë jopopullaritet me të ashtuquajturat reforma strukturore. Po cilat janë këto reforma? 

Në gati 8 vjet qeverisjeje dhe dominim parlamentar, nuk ka asnjë reformës strukturore që të ketë sjellë shndërrim apo prishje ekulibri saqë të presupozohet se do të kishim reaksion. Reforma në drejtësi, drafti fillestar u rrëzua nga Venencia, fitorja e tij e zgjedhjeve humbi çdo kredencial moral qëkurse u certifikua se në Parlament z. Rama kishte katapultuar njerëz me rekorde kriminale. Zoti Rama ka dështuar rregullisht në procesin e integrimit, dështoi me procesin e dialogut Serbi-Kosovë, krijoi incident me çështjen e pronave në Strasburg, shtyu drejt gjykimit ndërkombëtar marrëveshjen me Greqinë dhe tani së fundmi Venecia i rrëzoi edhe Kodin Zgjedhor. Reformat e z. Rama janë të paqena, ato thjesht janë rikualifikuar rrugës për t’i futur në shtrat kushtetues, ndërkohë që ka në kërkim kryebashkiakë dhe qëndron në Parlament si produkt i zgjedhjeve pa garë.

Për cilat reforma e ka fjalën z. Rama?

Reforma në arsim dhe shëndetësi që sot ngrihen lart janë përmirësime dhe arnime që nuk kanë sjellë asnjë transformim. Kjo nuk është keqdashje apo të flasësh vetëm keq, por realitet. ËShtë po ashtu për t’u shënuar se kjo shumicë përfaqëson ulje në cilësinë e zgjedhjeve, për të cilat akuzonte në vijimësi paraardhësit e vet. Në fund të fundit secili bën bilancin e vet dhe ne jetojmë në një vend që është po aq keq, në mos më keq se 8 vjet më parë. Dhe kjo patjetër që të bën jopopullor, ndonëse nuk të lë vetëm. Sepse z. Rama nuk është vetëm. Ai ka nga pas dhe poshtë një parti vuvësh që tundin kokën.

se.za