Administrata amerikane e Bushit ka patur në plan rezervë edhe një goditje bërthamore ndaj Afganistanit pas sulmeve të 11 shtatorit. Këtë e zbulon ish-këshilltari, i ish-kancelarit Schroeder, Michael Steiner, në një intervistë për gjermanen “Spiegel”, që citohet nga agjencia ruse “Sputnik”. “Administrata Bush mendoi të gjitha mundësitë, përfshirë përdorimim e armëve bërthamore në Afganistan, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të 11 shtatorit. Schroeder kishte frikë se presidenti amerikan do të reagonte në mënyrë joproporcionale në shokun e parë pas goditjes”, thotë Steiner. Sipas tij, në këto kushte, Schroeder, kishte refuzuar këshillën e Steiner për mbështetje të pakushtëzuar, duke theksuar se “një shtet nuk duhet të japë çek të bardhë”. Më tej, theksohet se këto tensione mes kancelarit gjerman dhe presidentit amerikan, çuan në kundërshtimin nga Gjermania të pushtimit të Irakut më 2013. Intervista vjen ndërkohë që ish-zv. Presidenti amerikan në administratën Bush, Dick Cheney, deklaroi pak ditë më parë, gjatë prezantimit të librit të tij më të ri, se marrëveshja mes ShBA-së dhe Iranit, do të çojë në goditjen e parë bërthamore pas Hiroshimës. Ai i bëri thirrje Kongresit të mos e votojë marrëveshjen, e cila sipas administratës Obama përmbush objektivin kryesor të politikës së jashtme amerikane në Lindjen e Mesme: shmangien e konfliktit bërthamor.
http://sputniknews.com/world/20150830/1026354691.html#ixzz3kGjwg5x4