Lajmet e sotme thonë se ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka mund të kalojë drejt Partisë Socialiste. Pak ditë më parë u fol se ish-deputeti Gledion Rehovica bëri të njëjtën gjë. Nasip Naço, ish-ministër i Drejtësisë po ashtu zgjodhi të bënte lëvizjen e vet drejt PS-së. Të gjithë këta ankohen se LSI i ka ikur misionit të vet dhe është shndërruar në një parti private.

Me këtë frymë misionare, Nasipi, Gledioni dhe ndoshta edhe zonja Caka po hedhin sytë nga Partia e Misioneve, ajo Socialiste. Nasip Naço bëri edhe një biçim eksperimentimi me veten kur tha se “ka marrë fund koha e eksperimenteve”, duke na lënë të kuptojmë se çdo sipërmarrje e re politike është e kotë. Ne duhet të tregohemi të mençur dhe ose të votojmë njërën parti, ose tjetrën.

Sorollopi që tani po i gjen bythës së vet karrigen e radhës nuk meriton asnjë rresht sepse dihet mirë se çfarë (nuk)përfaqëson. Mesazhet dhe alibitë e rasteve të tilla nuk vlejnë sepse kush vallë beson te morali i Nasipit dhe atyre pas tij? Sidomos kur sheh regjinë e rekrutimit mes pijeve alkoolike dhe shoqërisë monetare si Lefter Koka dhe Damian Gjiknuri.

Ajo që po ndodh është asgjë më shumë sesa tufëzimi i të ashtuquajtës e Majtë dhe ndodh vetëm aty ku mund të ndodhë: në stallën e PS-së. Që është ajo stallë që ka qenë grazhdi, kisha dhe shkolla e kësaj kategorie për dekada.