Po qarkullon sot një letër-email, që kryeministri i vendit, Edi Rama, i ka nisur në mars të këtij viti ministrave socialistë. Vëmendja e kreut të qeverisë, përqendrohet te Arroganca e ministrave, që shpërndahet mandej në të gjithë piramidën në limontinë e madhe, në rënien e vrullit të punës si dhe në një pezullti nga mentaliteti turkoshak. “Kjo qeveri ka vetëm një armik dhe ky armik është turku që jeton brenda secilit prej jush. O mbyteni, o përgatituni të lini anijen” – shkruan ndër të tjera Edi Rama, që u prezantohet shqiptarëve si drejtues i ekipit të Rilindjes. Këto janë fjalë që kanë vlerë si komunikim i brendshëm i një kryeministri me vartësit e vet, por tani që publikohen ato tingëllojnë shumë ironike. Nga ana tjetër, letra e kryeministrit evidenton veset e ministrave si problem esencial të qeverisjes dhe nuk sheh asnjë të metë në politikat që kjo qeveri ndjek. Kjo është shumë shqetësuese, pasi duket se kjo qeveri nuk pranon të negociojë bindjen e vet, me asnjë shqetësim dhe kritikë që po vjen sidomos për qasjet në ekonomi. Kanë kaluar dy vjet, kohë ka ende. Por sikurse Edi Rama e nënvizon se “serioziteti në gjërat e “vogla” është gur themeli për gjërat e mëdha”, edhe leximi i kësaj letre, zbardhur nga portali "newsbomb.al", vlen për të kuptuar se do të bitiset siç u nis.