Mero Baze shkruan sot në gazetën “Tema” mbi debatin e fundit mbi skandalin e CEZ. Çështja është bërë aq e rrëmujshme me publikim dokumentesh, saqë nuk merret më vesh gjë. E sigurtë është se aty mban era hajdutëri, ndonëse roli i pretenduar i Ilir Metës, po ngjan më pak i dokumentuari. Por kjo nuk ka rëndësi. Baze tërheq vëmendjen te një fakt tjetër: pse socialistët nuk angazhohen për të goditur korrupsionin e qeverisë Berisha? “Por ajo që më bën përshtypje në këtë histori, është qasja që socialistët kanë ndaj korrupsionit të Berishës...Socialistët, të cilët kanë dy vite në pushtet i kanë këto shkresa në tavolina, i shikojnë, ndoshta fërkojnë duart dhe vazhdojnë bëjnë ndonjë lekë. Nëse në këtë histori nuk do të kishte marrë kot opozita dhe ta kthente në betejë politike, pavarësisht se tani del e gjitha kundër saj, ne nuk do kishim asnjë debat për këtë çështje. Dhe ky është problemi kryesor që socialistët kanë me korrupsionin e Sali Berishës. Ata nuk kanë prekur asnjë koncesion të Sali Berishës, nuk kanë shfletuar letrat e asnjë tenderi, për të cilët ka të dhëna dhe publike që kanë qenë korruptivë, nuk kanë hetuar personalisht asnjë nga aferat e mëdha politike dhe kriminale që kanë shoqëruar qeverisjen e Berishës dhe pastaj kur gjenden keq bërtasin korridoreve që duhet arrestuar Sali Berisha. Paaftësia e socialistëve në këtë pikë është aq dëshpëruese, sa e vetmja mënyrë për t’i justifikuar është t’i quash hajdutë që nuk duan të dënojnë parardhësin. Është më mirë t’i quash kështu, sesa budallenjë dhe të paaftë. Edhe në këtë rast u provua se i vetmi njeri që mund ta çojë në burg Sali Berishën është vet Sali Berisha, se po të jetë për socialistët nuk lëviz njeri gishtin”. Tani pyetja që bëhet nuk është a është e vërtetë kjo apo jo, se këtë e di i madh e i vogël, por a mos vallë me këto epitete fyhen socialistët, sidomos Rilindjotët që thotë Ristani? Gjasat janë që po, pasi nuk është në etosin e PS-së zhvatja e pasurisë publike dhe sidomos ky komunkim me akuza. Ndaj le t’ia lëmë Berishën Berishës.