“Gabim teknik” ka qenë justifikimi i radhës. Në fakt ishte një gafë diplomatike që ka trazuar jo pak ujërat. Gazeta “Panorama” shkruan se sot se incidenti i radhës shënon një tjetër skandal të Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Këtë herë ka qenë mes ambasadorëve të Izraelit dhe Palestinës, të akredituar në Tiranë. Ministria e Jashtme kish ftuar në një takim të gjithë ambasadorët e vendeve arabe të akredituar në Tiranë për të diskutuar rreth mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Por mësohet se diplomacia shqiptare kish përjashtuar ambasadorin e Palestinës nga kjo tryezë, dhe në vendin e tij ftoi ambasadorin e Izraelit në Tiranë. Kjo gafë diplomatike bëri që Ambasada Palestineze të reagonte duke zbardhur një tjetër skenar të incidentit diplomatik, në të cilin u përfshi Ministria e Jashtme Shqiptare, ngjarje e cila shkaktoi jo pak irritim të ambasadorëve të akredituar në Tiranë, pjesë të Ligës Arabe. Sipas “Panoramës”, duke qenë se Izraeli nuk është pjesë e Ligës Arabe, ambasadorët e vendeve të tjera të Ligës kanë bojkotuar takimin në Ministrinë e Jashtme, duke kërkuar sqarime për përjashtimin e Palestinës dhe duke e quajtur atë provokim. Vetë Ambasada e Palestinës e ka quajtur si ironik këtë “bojkot” të Palestinës dhe zëvendësimin me Izraelin. Ambasadorët e Ligës Arabe kanë kundërshtuar praninë e diplomatit të Izraelit në këtë takim, çka u bë shkak i një konflikti diplomatik. Pas kundërshtisë së ambasadorëve të vendeve arabe, Ministria Jashtme është tërhequr duke e quajtur ndodhinë si një “gabim teknik”. Pas kësaj përplasjeje, takimi është zhvilluar në një fazë të dytë pa praninë e ambasadorit të Izraelit, por vetëm mes pjesëtarëve të Ligës Arabe.