Për debatin më të fundit lidhur me rivendosjen e pllakatës së Sulltan Sulejmanit, studiuesi i njohur Gjerak Karaiskaj ka një këndvështrim ndryshe. A thotë se kjo pllakë, është pjesë e monumentit dhe se do ishte mirë të mos ishte hequr nga aty. "Nuk është e vetmja kala me pllakë, ka pasur edhe në të tjera. Ka pasur në Kalanë e Kaninës, ku tregohej se ajo qe rindërtuar në shek.XVI. Nëse këto pllaka do ishin zhdukur ne nuk do e dinim se kur u rindërtuan. Studimi i kalasë pa to do ishte i vështirë", shprehet Karaiskaj në një intervistë për Gazetën Shqiptare.
Studiuesi thotë se shkarravitja e pllakatës dhe reagimet kundër rivendsjes në kala vjen nga egërsia e njerëzve, të cilët sipas tij janë kategori të ndryshme, pseudonacionalistë, injorantë dhe nga të gjitha llojet.
"Sikur këta të kishin qenë në pushtet dikur, unë do të isha i pushkatuar. Po, sepse unë e kam shkruar që në komunizëm që Sulltan Sulejmani, e rindërtoi Kalanë e Lezhës. Faktikisht, këta po ia kalojnë edhe komunizmit në egërsi. Ne nuk kemi pasur shtet të pavarur, ne kemi qenë pjesë e perandorive. Që nga Perandoria Romake, ajo Bizantine dhe më pas ajo Osmane. Si t’ia bëjmë tani, ta rrafshojmë fare kalanë? Sepse të gjitha i kanë bërë pushtuesit" thekson Karaiskaj.
Studiuesi e quan një debat mee nxitje fetare.
"E gjithë kjo është një debat me nxitje fetare, se nga cili burim vjen e kush i organizon këta njerëz, s’e di. Aty, në mbishkrimin e Lezhës, përmenden Skurajt, çfarë të bëjmë me ta? Skurajt janë miq apo armiq, si tua lëmë atyre? Hajde ia heqim edhe Skënderbeut titullin, se ka titull bej? Si t’ia bëjmë? Kjo është një lloj injorance që nuk ka ekzistuar as në atë regjimin e tmerrshëm, që nuk ndodh në asnjë vend të botës"-deklaron studiuesi.
Sipas tij pllakata e vitit 1522-it, tregon vitin ku u rindërtua kalaja. “Sulltan Sulejmani, ka rikonstruktuar këtë kështjellë të bekuar, Zoti e përjetësoftë mbretërimin e tij dhe i dhëntë jetë të gjatë. Me ndihmën e (arkitektit) Dervish Muhamedi, i biri i Uzgur. Kryelarta kështjellë e fortë e Sulejmanit. Viti 928 (ose me kalendarin gregorian, viti 1522)”, përkthehet mbishkrimi në pllakën mermer. Kjo pllakë ka qenë aty ku është sot. Më vonë, siç duket, e kanë vjedhur, duke menduar se ka ndonjë vlerë. U gjet në kopshtin e njërit, qëndroi në muze, u rizbulua dhe u vu atje. Nuk ka asgjë për tu shqetësuar"-përfundon Karaiskaj.