Ku u ngjiz Rilindja jonë kombëtare? Ku u ushqye ajo me kurajën e kundërshtimit dhe të ngritjes ndaj dorës së pushtetit? Nuk shtrohet puna vetëm te kontakti me idetë, por me edukimin dhe traditën e organizimit të rebelimit. Ka disa që së fundmi thonë se Rilindja nisi me katolikët e arbëreshët, por për ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, ajo nisi në portat e Vezirit të Janinës, Ali Pashë Tepelenës. “Shteti i Ali Pashe Tepelenes do te ishte dhe djepi i rilindjes tone kombetare. Ne oborrin e tij ose te frymezuar prej tij, Naun Veqilharxhi , Anastas Byku, Apostol Meksi, Vangjel Meksi, Evstrat Vithkuqari, Vangjel Zhapa, Sotir Postenani, Marko Boçari e burrat e tjere te medhenj te kombit tone, shkruan alfabete, abetare, gramatika dhe fjalor te gjuhes shqipe, botuan gazetat dhe hapen ne jugun e vendit shkollat e para, ne te cilat mesohej edhe gjuha shqipe. Fedhon Meksi, te paret e te cilit ishin mjeke por dhe dijetare e filozofe, ne oborrin e Ali Pashe Tepelenes ka meriten e madhe sepse me driten e te vertetave historike i çliron keto personalitete dhe te tjera nga shpifjet dhe fallsitetet e histeriografise hoxhiste dhe interpretimet e verberta te asaj helenike dhe i vendos ata ne panteonin e burrave te shquar te kombit tone, pararendes e themelues te rilindjes tone kombetare”, shkruan Berisha. Filli ortodoks e bektashian i Rilindjes përhapet kështu në formën e një lëvizjeje konkrete që u pjatua mandej me Shqipërinë e Veriut. Të kujtojmë se edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, aksi mysliman i saj në Veri ishte shumë i fuqishëm. Nuk dihet se çfarë e ka ngazëllyer Berishën të shkruajë këto kohë për Ali Pashën, kur një kryqëzatë verbale po organizohet ndaj Sulejmanit të Madhërishëm për pllakën e Lezhës. Berisha madje e rendit Ali Pashën krahas Skënderbeut. “Enver Hoxha, ne funksion te kultit te tij satanik, perveç Skenderbeut nuk mund te pranonte dot nje personalitet tjeter ne historine e Shqiperise. Edhe sot, historianet hoxhist, qe fallsifikuan historine e Ali Pashe Tepelenes, bashkepunetorve te tij por dhe te Naum Viqilharxhit, kujdesen haptas dhe tinezisht te mbajne gjalle fallsifikimet e tyre. Perpjekja qe beme per te sjelle koken e Ali Pashe Tepelenes nga Stambolli ne 100 Vjetorin e Pavaresise se Shqiperise, deshmoi se ne Turqi ende e mbajne peng Vezirin e Janines dhe se akoma nuk eshte shuar zemerimi imperial ndaj tij”, shkruan Berisha.