Eksperti i ekonomisë dhe ish-anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Bankës Shqipërisë, Arian Kadare vlerëson se megjithë përpjekjet e qeverisë për të mbajtur në kontroll defiçitin buxhetor, rritja ekonomike pritet te jetë më e ulët se parashikimi.

Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Kadare thotë se  borxhi publik të paktën për këtë vit nuk do të pësojë ulje. “Borxhi qeveritar vlerësohet në rreth 70-72 për qind të PBB-së. Në analizën e zhvillimeve të borxhit, mendoj se duhen marrë parasysh zhvillimet e deficitit të vitit që jemi si edhe rritja ekonomike (rritja e PBB-së). Parashikimi në fillim të vitit 2015 ishte që për herë të parë që nga viti 2010 të fillonte ulja e borxhit në raport me PBB-në. Kjo me fjalë të tjera do të thotë se planifikimi i deficitit buxhetor ishte i tillë që borxhi të rritej më pak se rritja e parashikuar (nominale) ekonomike. Mosrealizimi i të ardhurave solli rishikimin e buxhetit. Që deficiti të mbetej aty ku ishte planifikuar me FMN-në, shpenzimet u ulën sa ulja e të ardhurave. Pra, deficiti u fiksua. Po rritja ekonomike? Kjo mendoj se do të jetë më pak se ajo e parashikuara në fillim të vitit”-thekson Kadare.

Ai përmend disa faktorë për rënien e të ardhurave si, si rënia e konsumit, performanca e dobët e eksporteve sidomos për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe mineraleve, por edhe më pak shpenzime dhe investime qeveritare sipas buxhetit të rishikuar në ulje. Sipas Kadaresë është një situatë që po kalohet nga borxhi në borxh, por nuk bëhet fjalë për destabilizim.