Në shtator janë lëshuar mbi 39.300 kuponë, ose 2.2 herë më shumë se shtatori i një viti më parë, ndërkohë që vlera mesatare e një kuponi tatimor ka zbritur nga 3400 lekë në shtatorin e dy viteve më parë, në më pak se 1500 lekë aktualisht. “Monitor” shkruan se presionit të lartë të administratës tatimore për të përdorur kuponin tatimor, në mënyrë që të deklaronin xhiron reale, bizneset, sidomos ato të vogla, duket se ia kanë gjetur ilaçin. “Do të pres më shpesh kupona tatimorë, mjafton të mos e kaloj 6 mijë lekë në ditë”, pohon e sigurt një parukiere, që është këshilluar kështu nga ekonomistja e saj, në mënyrë që ajo të mos e kalojë kufirin e xhiros vjetore prej 2 milionë lekësh. Sipas “Monitor” këtë tendencë të bizneseve për të prerë më shpesh kupona, me vlerë të ulët, e konfirmojnë dhe të dhënat paraprake të tatimeve për shtatorin. Sipas të dhënave ende operative, në shtator janë lëshuar mbi 39.300 kuponë, ose 2.2 herë më shumë se shtatori i një viti më parë. Po nga të njëjtat të dhëna, rezulton se vlera mesatare e një kuponi tatimor ka zbritur nga 3400 lekë në shtatorin e dy viteve më parë, në më pak se 1500 lekë aktualisht. Në shtatorin e 2014-s, vlera mesatare e kuponit tatimor ishte 2200 lekë. Ndërkohë, sipas të dhënave operative, vlera e xhiros për shtatorin ishte gati 51.6 miliardë lekë, nga 31.6 miliardë lekë në shtatorin e 2014-s, me një rritje prej 34%. Kjo rritje e lartë e xhiros nuk i ka ndihmuar shumë tatimet, që kanë sjellë në buxhet rreth 1.5 miliardë lekë të ardhura më shumë, shkruan “Monitor” në analizën e tij.