Oferta e kompanisë kineze “China State Construction” për ndërtimin e Rrugës së Arbrit do të shqyrtohet nga një kompani konsulence e kontraktuar nga qeveria. Përmes një njoftimi zyrtar bëhet e ditur se, Avokatura e Shtetit ka hapur zyrtarisht procesin e kontraktimit të studios konsulente, e cila do të këshillojë komisionin e negocimit, thotë TCH.

Sipas dokumentit, qeveria kërkon asistencë për të vlerësuar jo vetëm aspektin ligjor, por edhe atë financiar të ofertës që ka paraqitur kompania kineze. I gjithë procesi i negocimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga një komision i posaçëm, i kryesuar nga Ministria e Transporteve, por me anëtarë edhe nga Ministria e Financave, ajo e Zhvillimit Ekonomik, e Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit.

Komisioni do të ketë për detyrë të shqyrtojë propozimin që kompania kineze ka paraqitur në Ministrinë e Transporteve. Në këtë propozim janë përcaktuar kushtet financiare, afati dhe gjithë detajet e tjera të draft-kontratës.

Por mbetet e paqartë se çfarë e ka bërë qeverinë të hezitojë dhe të kërkojë konsulencë sa i përket ofertës kineze.