Të paktën 800 persona të përfshirë në aktivitete kriminale u vunë në pranga falë një hetimi ndërkombëtar të drejtuar nga FBI. Operacioni Mburoja e Trojës përfshiu polici nga gjashtëmbëdhjetë vende të tjera si dhe Europolin, agjencia e zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian.

Në kuadër të këtij operacioni u kryen qindra kontrolle dhe u sekuestruan mbi tetë ton kokainë, dy ton amfetamina dhe metamfetamina, 22 ton kanabis dhe 48 milionë dollarë (39.4 milion €) në monedha të ndryshme dhe kriptomonedha, raporton Euronews.

Operacioni rezultoi i suksesshëm falë një aplikacioni të koduar mesazhesh të zhvilluar nga FBI, i quajtur ANOM. Ky aplikacion shërbeu si karrem, pasi kriminelët nisën ta përdornin, pa e ditur se agjencitë e zbatimit të ligjit po monitoronin miliona mesazhe në lidhje me kontrabandën e drogës, pastrimin e parave dhe madje edhe vrasjet e planifikuara.

Aplikacioni u vu në funksion në mbi 12 000 pajisje të koduara në 300 sindikata kriminale që veprojnë në më shumë se 100 vende, duke përfshirë krimin e organizuar italian, bandat e jashtëligjshme të motorëve dhe organizatat ndërkombëtare të trafikut të drogës.

Përgjatë 18 muajve, agjencitë e zbatimit të ligjit fituan akses në mbi 27 milionë mesazhe.

Në prill, Europoli paralajmëroi në raportin e radhës së krimi i organizuar nuk ka paraqitur asnjëherë më shumë se sot rrezik për BE dhe qytetarët e saj.