Nuk ka ditë të vitit që në media të ndryshme, sidomos në ato me vëllim serioz postimesh, të mos ketë një lajm me Yuri Kim. Yuri ka zëvendësuar Donaldin, Donaldi - Aleksandrin, Aleksandri kush e mban mend se kë. Dhe vazhdon kështu kjo sagë lajmesh me tituj që evoluojnë ndër vite nga qëndrimet dashamirëse të ambasadorëve amerikanë për Shqipërinë, deklarata dashurie madje, te kërcënimet e hapura ndaj maskarenjve që po i marrin frymën këtij populli të mrekullueshëm që ka gjetur çobanin e vet edhe shekullin e post-telegrafit.

Yuri Kim kërcënon prokurorë, gjyqtarë, ca hapur, e ca me kod. Tamam punë  e ndërlikuar amerikanësh që kanë mësyrë këtu me çizmet e aventurës shtetformuese për të na latuar kokën e për të na bërë gati për shekullin ku hymë. Zonja Kim e ka merak Shqipërinë, lulëzimin e saj, aq sa p.sh jep edhe leksione bajate morale që të kujtojnë parrullën: të parët në sakrifica, të fundit në pretendime.

Ky është momenti. Keni rol kritik për institucionet e drejtësisë e për të ardhmen. Fëmijët e brezi i ardhshëm i ka sytë te ju.

Askush nuk mendon se kjo është e kollajtë e di që ka kosto vetjake e profesionale, por është kosto e sakrificë që ia vlen se është në të mirë të tërë shtetit shqiptar.

Nëse ju nuk paguani kostot, nëse s’jeni të gatshëm të jeni të guximshëm të paguani kostot, jo vetem ju, por te tere ne, nëse nuk e bëjmë, brezat e ardhshëm do paguajnë kostot e nuk mendoj që kjo është gjëja e duhur për t’u bërë në këtë shtet

citohet zonja në një “lajm”.

Por ka edhe një “lajm” tjetër që e vendos zonjën në pozicionin e pedagogut ndërinstitucional kur jep sa majtas dhe djathtas urdhëra dhe direktiva, çuditërisht përherë në emër të fëmijëve tanë.

Mbetet ende punë për t’u bërë. KLP duhet të plotësojë detyrimin e tij për të patur një SPAK efikas. Nuk ka dyshim që plotësimi i vendeve bosh, të shkaktuara nga sistemi i Vettingut, ka qenë alarmuese.

Megjithatë, KLP ka mundësi për ta rikthyer këtë proces në shtegun e duhur duke vendosur gjyqtarët që kanë plotësuar kriteret e Vettingut. Këshillat duhet që të veprojnë tani për të bërë vlerësim të sistemit duke i kërkuar llogari magjistratëve.

Këshillat duhet të caktojnë mirë standardet dhe për të adoptuar Kod të mirë Etike. Këshillat duhet të ndjekin rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga ligjet. Ky është momenti, keni një rol tepër kritik për të luajtur. Fëmijët i kanë sytë tek ju…

Na thonë se SHBA po hedh para për reformën në drejtësi dhe me anë të zonjës po mbron investimin e vet. Madje gati harbutshe. Dhe në një mënyrë që ta bën të neveritshëm leximin e politikës ditore qoftë edhe për informim. Një fytyrë përditë, të njëjtat fjalë, i njëjti ton. Pasdite zonjën e kemi në malësi, apo bregdet me deklarata edhe më triviale, mjerane në cilësimin e tyre “lajm”, si p.sh:

Sa i bukur Dhërmiu, sa të bukura alpet!  Apo: Sa trima janë shqiptarët!

Pak rëndësi ka aktiviteti ku zonja del e flet qesim. Ajo është lajm përditë, përherë, pa ndalim. Sepse duhet të hyjë në trutë e njerëzisë që ky vend e ka një zot, mbi bejlurçinën që plaçkit e banditon pasurinë, njësoj si qëmoti në otomani, kur zullumin e trashur të gagarelëve të këtyre anëve e vinte në udut kërbaçi i Portës.

Sot kërbaçi vjen me fjalë të buta, me buzëqeshje. Nga ato që therin më shumë sesa uniforma. Ndaj edhe zonja Kim po lezeton këtë status guvernatori në këtë Frontierë të humbur euro-orientale.

Ka zënë qoshenë e mban tavolinën në këtë vend, ngre dollitë e hedh rromuzet sipas midesë. Sepse në fund të fundit shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit, por vetëm e shqiptarit nuk ishte ndonjëherë. Se që të kesh shtëpi do edhe pak dinjitet, përveçse fat. Ne mesa duket kemi zgjedhur të jemi qiraxhinj në vendin tonë. Ose atë që na kanë thënë se është yni. Megjithatë për hir të qetësisë së veshëve dhe asgjë tjetër, na e nxirrni nga lajmet ca kohë zonjën se na u bë si burri i nënës.

s.zaimi