Kryeministri Edi Rama shpërndan në faqen e vet në Facebook një mesazh promocional titulluar: Eja në shtëpi! Videoja i drejtohet emigrantëve që pritet të vijnë të pushojnë në Shqipëri gjatë verës dhe në të shfaqen personazhe të ndryshëm që bëjnë thirrjen: eja në shtëpi, nën muzikën popullore dhe pamjet e kuruara nga gjeografia e vendit.

I njëjti marifet që vazhdon prej vitesh: qeveria përpiqet të ricikojë imagjinarin e vet për vendin, duke injoruar realitetin që prek çdo njeri. Realitet që të sfidon që tek uji në rubinet, mbetjet në rrugë, shërbimi publik dhe privat e kështu me radhë.

Eja në shtëpi ka edhe një natyrë provokative në një vend që mundet të quhet fare mirë edhe Guberna e Legalizimeve. Eja në shtëpi se edhe mund të ta zënë! Ja një apel me të vërtetën brenda, që në fakt përputhet më mirë me atë që ndodh në këtë vend. Përndryshe kalojmë nga fabula e bumit turistik në përrallën e turizmit patriotik pasi edhe stabilitetin financiar e mbajtëm me remitanca.