Nuk humbi Amerika, fitoi korrupsioni. Ja receta që po jepet për atë që ndodhi në Afganistan. Mund të jetë edhe kështu. Nuk përjashtohet. Por nëse kjo është e vërteta, atëherë kush e bëri këtë korrupsion? Administrata, politika, qeveria, ushtria, media, ojq-të e kështu me radhë.

Janë pikërisht këta që SHBA po i transporton jashtë vendit dhe po i strehon edhe në vende si ky yni. Ndërkohë që ka premtuar se do marrë vetë 22 mijë njerëz.

Çështja është parimore: nëse qeveria e SHBA vendos sanksione dhe ndalon hyrjen e personave të caktuar që i cilëson si të përfshirë në akte domethënëse korrupsioni, si vallë shpall si aleatë dhe partnerë, dhe madje i mbron, ata që sot cilësohen si një ndër shkaqet themelore të humbjes në Afganistan?

Cila logjikë e përligj këtë? Kuptohet budallallëku është po aq Sovran sa edhe shpallja e luftës, vetëm se kur na shpallin Sali Berishën dhe Tom Doshin armiq të demokracisë, të na bëjnë të qartë se kemi të bëjmë me politikë palaço nga një superfuqi që sot merr në mbrojtje të njëjtën kategori. Askush nuk e ka monopolin e së vërtetës. As Shvejku që jeton në botën e vet.